AlbanianSport.com 15/02/2019 16:15
ASNN – 23-vjeçari rrëfen për Rrjetin e RTSH-së Lokomotivën e Zagrebit dhe përgatitjet për Turqinë. Po kalon një formë mjaft të mirë që nga kalimi i tij në kampionatin kroat dhe Myrto Uzuni i ka të qarta synimet e tij këtë sezon. 23-vjeçari kërkon më shumë nga vetja dhe, duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ai thekson se objektivi i tij është Kombëtarja dhe një klub më i madh në fund të sezonit.
Ka shënuar 6 gola deri më tani në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit, por Myrto Uzuni kërkon më shumë nga vetja. Kjo formë e mirë e tij, por edhe të rinjve të tjerë kuqezinj si Fiorin Durmishaj, Rei Manaj apo Françesko Tahiraj, ka bërë që trajneri i Kombëtares ta kthejë kokën më tepër drejt tyre. Dhe për Uzunin, fanella kuqezi është në dorë të vetë futbollistëve.
Ndeshja e parë e Kombëtares në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit të 2020-ës është ajo e fundmarsit me Turqinë, një sfidë për të cilën 23-vjeçari thotë se është gati. Futbollisti kuqezi i ka të qarta synimet e tij këtë sezon dhe objektivi është një klub më i madh. Gjatë verës, Myrto Uzuni u transferua nga Laçi në Kroaci dhe tek Lokomotiva e Zagrebit është konfirmuar si titullar, duke realizuar 6 gola.