AlbanianSport.com 10/02/2019 13:15
ASNN – Policia: Ka lejuar futbollistët të luajnë me fanellat me logot e kompanive të basteve. Reklamat e kompanive të basteve në fanellë kanë çuar në procedimin e administratorit të një klubi të Kategorisë Superiore, por edhe të vëzhguesit të ndeshjes. Policia e Tiranës ka proceduar penalisht administratorin e një ekipi futbolli të Kategorisë Superiore.
Kjo, për shkak se sportistët e tij reklamonin në fanellat e tyre, logot e kompanive të basteve. Policia bën të ditur se është procedura penalisht shtetasi G. V., 30 vjeç. Ai akuzohet për veprën penale, “shpërdorim detyre”. “Në datën 09.02.2019 në stadiumin “Selman Stermasi“, gjatë zhvillimit të ndeshjes së Kategorisë Superiore Partizani-Kastrioti është konstatuar se në fanellat e lojtarëve të ekipit që ky shtetas është administrator ka pasur logo reklamuese të një shoqërie bastesh sportive, në kundërshtim me ligjin nr. 75/2018”, – bën të ditur njoftimi i Policisë.
Po ashtu, njoftimi bën të ditur se po kryhen hetime edhe për vëzhguesit e Federatës së Futbollit, të cilët ishin të pranishëm, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal gjatë kësaj ndeshje, pasi kanë lejuar futbollistët të futen në fushë me fanellat me logot e kompanive të basteve.
Duhet theksuar se Kastrioti kishte luajtur me këto fanella që në 10-ditëshin e fundit të janarit, në të dyja ndeshjet e turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, pikërisht ndaj Partizanit, por edhe në dy ndeshjet e para të këtij viti në Kategorinë Superiore, por vetëm të shtunën një gjë e tillë u konstatua nga Policia.