AlbanianSport.com 11/01/2019 13:50
ASNN – Regbija shqiptare tanimë po konfirmohet gjithnjë e më tepër si sport në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. Vetë disiplina e Regbi Ligës, e cila është paksa më e thjeshtuar sesa ajo klasike, po gjen shtrirje gjithnjë e më të madhe në Ballkan dhe për të 3-tin sezon radhazi do të zhvillohet në pranverë edhe Superliga rajonale. Aty ku për të dytin sezon radhazi, ka marrë pjesë edhe Klubi i Tiranës si përfaqësuese e Shqipërisë.
Megjithatë, edhe për shkak se niveli i ekipeve shqiptare është ende modest, bardheblutë do të marrin pjesë këtë vit në Divizionin e dytë dhe ditët e fundit, skuadra shqiptare do të jetë në grupin A. Klubi i Regbisë Tirana do të përballet në këtë grup me skuadrën boshnjake të FIS Vitezhit dhe atë malazeze të njohur me emrin në anglisht si “South Region”, apo Rajoni Jugor. Ndeshjet e këtij grupi, në bazë të kalendarit paraprak do të luhen përgjatë dy muajve.
Dhe bardheblutë e nisin me vizitën që do t’i bëjnë në Bosnjë-Hercegovinë FIS Vitezhit më 6 ose 7 prill 2019, për të vijuar të presin më 4 ose 5 maj në kryeqytet malazezët e “South Region”, ndërsa në takimin e fundit, që luhet në ditët e para të qershorit, malazezët presin në shtëpi boshnjakët. Duhet theksuar se Shqipëria është pranuar anëtare me statusin e vëzhgueses në Federatën Evropiane të Regbi Ligës dhe për drejtuesit e këtij sporti në vend, ky është një hap i madh përpara, ashtu sikundër është edhe kjo pjesëmarrje e dytë e Tiranës në Superligën Ballkanike.