AlbanianSport.com 06/02/2020 20:55
ASNN – Mundet 3-4 në “Santiago Bernabeu” nga Real Sociedadi, takimi erdhi direkt në RTSH Sport. Kupa e Spanjës ka dhuruar të enjten të papriturën më të madhe, pasi një nga pretendentet kryesore për ta fituar këtë trofe, Reali i Madridit, është eliminuar në çerekfinale. Në takimin e sjellë për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, madrilenët janë mundur në shtëpi 3-4 nga Real Sociedadi. Veprimtaria e dytë e futbollit spanjoll, Kupa e Mbretit, ka luajtur të enjten dy takimet e fundit të çerekfinaleve.
Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë fillimisht në kanalin RTSH Sport takimin midis Realit të Madridit dhe Real Sociedadit. Takimi i zhvilluar në mitikun “Santiago Bernabeu” e ka mbyllur pjesën e parë me epërsinë minimale të miqve, që kanë gjetur epërsinë me atë në Martin Ëdegardit në minutën e 22-të. Pjesa e dytë do të jetë një betejë e ethshme, ku janë shënuar 6 gola dhe janë anuluar dy të tjerë nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), siç ishte ai i Aleksandër Isakut, i realizuar në minutën e 49-të.
Megjithatë, 5 minuta më pas, i njëjti lojtar shënon sërish për miqtë dhe këtë radhë goli vlen. Isaku do të gjejë edhe një tjetër gol menjëherë më pas dhe Real Sociedadi e ka shtangur “Bernabeun”, teksa kryeson 3-0 pas 56 minutash lojë. Por vetëm 3 minuta më pas, Marcelo do të shkurtojë largësinë e golave për vendasit. Sidoqoftë, në minutën e 79-të, Mikel Merino gjen golin e 4-t për Sociedadin. 11 minutat e fundit të kohës së rregullt dhe mëse 7 minutat shtesë do të jenë të ethshme, pasi Vinicius Zhunjorit do t’i anulohet një gol në minutën e 79-të.
Por 3 minuta më pas, ai do të shërbejë për Rodrigon, që realizon të dytin për vendësit. Ndonëse Naço Fernandez do të gjejë golin e 3-të në shtesë dhe miqtë mbeten ne 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Gorosabelit, Real Sociedadi e ruan fitoren përtej drithërimave dhe i shkakton Realit të Madridit eliminimin e bujshëm nga Kupa e Spanjës.