AlbanianSport.net 21.02.2017 09:45
ASNN – Shqipëria ka marrë të hënën të drejtën e organizimit të një kampionati botëror dhe bëhet fjalë për atë të peshëngritjes për të paratërinj, që do të mbahet në vendin tonë në vitin 2019. Kjo është veprimtaria e 4-t madhore e shtangës ndërkombëtare që ka për destinacion Shqipërinë.
Pasi ka organizuar dy kampionate evropiane dhe pret një të tretë në fund të këtij viti, Shqipëria e peshëngritjes e ka fituar tashmë të drejtën e organizimit të një Kampionati Botëror. Bëhet fjalë për atë të peshëngritjes për të paratërinj, që do të mbahet në vendin tonë në vitin 2019.
Kështu, pasi në 2008-ën është organizuar në Durrës Kampionati Evropian i Të Rinjve dhe, më 2013-ën në Tiranë, Kampionati Evropian i Të Rriturve, Shqipëria përgatitet të presë Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve, që do të mbahet në Tiranë, nga data 22 tetor, deri më 5 nëntor 2017.
Lajmi për dhënien e të drejtës së organizimit të Botërorit të Paratërinjve në Shqipëri është mësuar pas takimit të fundjavës së presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, me presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tamas Ajan.
Aty është arritur marrëveshja e bashkëpunimit, e cila konsiston në një mbështetje në një bazë materiale nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Kjo e fundit do ta ndihmojë peshëngritjen shqiptare me seminare të vazhdueshme me ekspertë të huaj dhe vendës për trajnerë e gjyqtarë.
Tashmë të gjithë këtë iniciativë peshëngritja shqiptare duhet ta shoqërojë me rizgjim të brezave të rinj për ta vazhduar këtë sport e më pas dhe me shoqërim të medaljeve të pastra e pa “njolla në biografi” në aktivitetet ndërkombëtare. Shkurt, Botërori i paratërinjve më 2019-ën në Shqipëri është arritje për peshëngritjen kuqezi.