AlbanianSport.com 20/08/2019 19:10
ASNN – Mbahet në Tiranë një garë kontrolli midis Briken Caljes dhe Erkand Qerimajt. Të hënën pasdite, më Palestrën e shtangës në Parkun Olimpik të Tiranës është zhvilluar një garë kontrolli me dy prej sportistëve më të spikatur të të peshëngritjes shqiptare. Bëhet fjalë për kampionin e 3-fishtë të Evropës, Briken Calja dhe medalistin e bronztë të botës Erkand Qerimaj.
Në këtë garë kontrolli, të zhvilluar nën drejtimin e trajnerit të Qerimajt, veteranit Zef Kovaçi, dhe kryetrajnerit të Kombëtares, Sokol Bishanaku, ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhori Masllavica. Në fakt, kjo ishte një garë e pjesshme kontrolli, teksa pak ditë më parë u zhvillua në Voskopojë të Korçës edhe një tjetër garë kontrolli.
Sepse aty janë grumbulluar dhe po stërviten dy shtangistët e tjerë, Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj. Këta dy sportistë, së bashku me Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn, përbëjnë ekipin përfaqësues të Shqipërisë, që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur, që do të mbahet në javën e 3-të të shtatorit në Tajlandë.
Si Calja, ashtu edhe Qerimaj kanë treguar një nivel të kënaqshëm gjatë kësaj gare kontrolli, duke premtuar për një paraqitje të mirë dhe duke synuar madje edhe podiumin në Botërorin e muajit të ardhshëm.