Gjergj Vyshka 17.05.2016 12:05
Duke konfirmuar që është i mrekulluar me pritjen në Tiranë, ndërsa është hera e parë që vjen si president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), Antonio Urso, ka shpalosur projektet e bashkëpunimit me peshëngritjen shqiptare.
“Së pari, – thotë Urso, – do të ketë një program të veçantë në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Italisë për përgatitjen e sportistëve në prag të Lojërave Olimpike. Jo vetëm kaq, por dhe seminare shkencore për trajnerë e gjyqtarë.”
“Unë vlerësoj çka ka bërë Shqipëria në Evropë e botë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris shtangën kontinentale. – Dhe, duke marrë si shembull organizimin e Kampionatit Evropian të Të Rriturve në 2013-ën, apo dhe të Të Rinjve më 2008-ën, ne vlerësuam që Shqipëria ka potencial për një tjetër veprimtari të tillë.”
“Ne do të nëshkruajmë dhe një protokoll zhvillimi, – ka theksuar Urso. – Ndaj ju uroj suksese.” Menjëherë pas kësaj, presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, ka dhënë medaljen e arit për Elez Gjozën dhe peshëngritjen shqiptare.
Ndërkohë që një simbol me hartën e Shqipërisë është dhënë nga peshëngritja shqiptare për Antonio Urson. Që do të thotë se italiani është pritur si pakkush në Tiranë në vitet e fundit.