AlbanianSport.com 29/01/2019 17:10
ASNN – Nga 6 sportistë që dërgoi në 2008-ën dhe 2012-ën, shtanga me 1 ose 2 në lojërat e 2020-ës. Me konfirmimin e dënimit 8-vjeçar të Romela Begajt, Shqipëria nuk do të ketë të drejtë të dërgojë më tepër se 4 peshëngritës gjithsej, nga 8 gjithsej që mund të dërgonte në Lojërat Olimpike të Tokios në 2020-ën. Duke marrë parasysh se, në kulmin e saj, shtanga përbënte më tepër se gjysmën e delegacionit kuqezi në Olimpiadat e Pekinit dhe të Londrës, kjo padyshim që përbën një hap të madh prapa të sportit më të suksesshëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Në këto dy dhjetëvjeçarë të parë të mijëvjeçarit të ri, peshëngritja ka qenë sporti që, përtej numrit modest të njerëzve që e ushtrojnë atë, ka bërë më tepër bujë në arenën sportive kombëtare, por edhe ndërkombëtare. E nëse në 10-vjeçarin e parë kjo bujë ishte pozitive, me një numër të jashtëzakonshëm medaljesh në veprimtaritë rajonale, kontinentale apo botërore, në atë të dytin, për fat të keq, shtanga shqiptare e ka gjetur më tepër veten në qendër të vëmendjes për arsye të gabuara, e sidomos për përdorimin e substancave të ndaluara.
Dhe, ashtu si edhe në peshëngritjen botërore dhe atë evropiane, edhe në atë shqiptare dopingu ka patur koston e tij, që sa vjen e rritet. Dhe, me konfirmimin e dënimit 8-vjeçar të Romela Begajt, duket se është mbushur kupa, në kuptimin figurativ të fjalës, pasi Shqipëria nuk do të ketë të drejtë të dërgojë më tepër se 4 peshëngritës gjithsej, nga 8 gjithsej që mund të dërgonte në Lojërat Olimpike të Tokios në 2020-ën. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe zyrtarisht tashmë, teksa dënimi i dytë në po aq vjet për Begajn e çon në 10 numrin e rasteve të dopingut për Shqipërinë, që nga viti 2011.
Dhe kjo do të çojë në një kuotë të reduktuar të sportistëve në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm në kryeqytetin japonez. Çdo komb me 10 ose më shumë pozitive që nga viti 2008 mund të dërgojë vetëm dy meshkuj dhe dy femra në Tokio, në krahasim me maksimumin prej 4 meshkujsh dhe 4 femrash. Kjo përbën një goditje për shtangën kuqezi, e cila, edhe sikur të kualifikojë me normë më tepër sportistë për në Olimpiadën japoneze, nuk do të ketë mundësi të dërgojë më tepër se dy.
Në fakt, duke patur parasysh se edhe Evagjelia Veli është e dënuar për dy vjet për përdorim të substancave të ndaluara, Shqipëria ka gjasa të mos dërgojë asnjë shtangiste femër në Olimpiadë, duke mbetur vetëm tek dy shtangistët meshkuj, nga të cilët vetëm Briken Calja duket në rrugë të mbarë. Dhe, duke marrë parasysh se në kulmin e saj, shtanga përbënte më tepër se gjysmën e delegacionit kuqezi në Olimpiadat e Pekinit dhe të Londrës, kjo padyshim që përbën një hap të madh prapa të sportit më të suksesshëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.