AlbanianSport.com 18/04/2020 20:10
ASNN – Epidemia e koronavirusit ndaloi jetën kudo dhe, bashkë me të, ndaloi edhe sporti. Bashkë me të janë pezulluar dhe turnetë kualifikues për në Olimpiadën e Tokios, e cila vetë u shty, për herë të parë në histori në kohë paqeje.
Dhe Erkand Qerimaj, një nga pretendentët kuqezi për të marrë pjesë në Olimpiadën e 32-të, po pret ende mënyrën se si do të veprohet me garat kualifikuese të peshëngritjes, pasi Lojërat Olimpike janë caktuar të mbahen verën e 2021-shit.
“Kampionati Evropian ishte gara e fundit e rëndësishme për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike, – ka deklaruar peshëngritësi shkodran. – Ishte parashikuar të mbahej në qershor, por me situatën e krijuar, edhe ai u shty.”
“Po kështu, me shtyrjen e Olimpiadës nuk dihet si do të veprohet me kualifikimin”, – ka shtuar Qerimaj, duke folur për “TV Klan”. Në situatën e krijuar, Erkandi po përpiqet të ruajë formën fizike, duke u stërvitur në kushtet e karantinës.
“Po bëj ushtrime në kushtet e shtëpisë, duke parë situatën për shkak të karantinës”, – ka pohuar ai. Peshëngritësi shqiptar ka dhënë rezultate të larta në garat ndërkombëtare vitet e fundit, duke sjellë edhe medalje botërore dhe evropiane.