AlbanianSport.com 12/04/2019 12:05
ASNN – Peshëngritësi kuqezi ngjitet në podium në stilin e shtytjes, Shqipëria, 5 medalje me 4 sportistë. Në Gjeorgji po zhvillohet Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rritur dhe, pas medaljes së bronztë, të fituar të mërkurën nga Erkand Qerimaj, por edhe 3 medaljeve të fituar nga Briken Calja të martën, Shqipëria ka marrë një tjetër medalje. Ka qenë Krenar Shoraj ai që ka arritur të rrëmbejë një medalje të bronztë, në kategorinë së peshës trupore deri në 89 kg.
Krenar Shoraj ka qenë sportisti i radhës që ka konkurruar për Shqipërinë në Evropianin e Peshëngritjes, që po mbahet në Batumi të Gjeorgjisë dhe ai ka arritur të rrëmbejë një medalje të bronztë. Në baterinë A të kategorisë së peshës trupore deri në 89 kg, e cila u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, shtangisti shqiptar ka bërë vetëm dy prova të sakta, nga 6 të mundshme, por kjo i ka mjaftuar për t’u ngjitur edhe ai në podium.
Në stilin e shkëputjes, 27-vjeçari ka ngritur 155 kg me sukses në provën e parë, por ka vijuar t’i djegë dy provat e tjera, përkatësisht të dytën me 160 dhe të 3-tën me 161 kg. Kjo ka bërë që ai të radhitet i 8-ti në këtë stil, ndërsa stili i shtytjes ka rezultuar më i frytshëm për sportistin kuqezi. Ai ka ngritur me sukses 195 kg në provën e parë, ndërsa ka vijuar t’i shkojë dëm dy provat e tjera, përkatësisht të dytën me 200 dhe të 3-tën me 201 kg.
Megjithatë, edhe falë dështimeve të rivalëve në këtë stil, ai ia ka dalë të renditet i 3-ti në këtë stil dhe të ngjitet në podium. Medalja e tij i shtohet asaj të bronztës tjetër të fituar nga Erkand Qerimaj, por edhe 3 medaljeve të fituar nga Briken Calja. Kështu pra, me 5 medalje, një të artë, 2 të argjendta dhe dy të bronzta, Shqipëria renditet e 12-ta në këtë Evropian.