AlbanianSport.com 12/05/2020 18:35
ASNN – Përfiton edhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes, përcaktohen edhe datat e Evropianit. Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF) ka bërë të ditur se ka akorduar një fond prej 500,000 dollarësh amerikanë, për të ndihmuar sadopak federatat anëtare të saj për përballimin e krizës së shkaktuar nga virusi “Covid-19”.
Një gjë të tillë organizmi që qeveris shtangën botërore e ka bërë të ditur të hënën pasdite, teksa ka sqaruar gjithashtu se, për shkak të gjendjes së kënaqshme financiare që po shijon, nuk do t’i kërkojë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pagimin e fondit të zakonshëm që shpërndahet pas Lojërave Olimpike.
Siç dihet, edicioni i 32-të i Lojërave Olimpike “Tokio 2020” është shtyrë për vitin e ardhshëm. IWF-ja ka sqaruar gjithashtu se ka marrë për këtë fond rreth 130 aplikime nga federatat anëtare, njëra prej të cilave është edhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes.
Burime zyrtare pranë kësaj të fundit kanë pohuar për RTSH Sport se kanë dorëzuar aplikimin e tyre për këtë qëllim pranë organizmit që qeveris shtangën botërore. Këto burime kanë sqaruar se bëhet fjalë për një fond prej 8,000 dollarësh amerikanë, që konsiston kryesisht në bazë materiale, të tillë si boshte, shtanga, pedana, e të tjera.
Ndërkohë, pasi është shtyrë dy herë, nga prilli, në qershor, Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rritur, do të mbahet në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, nga data 31 tetor, deri më 8 nëntor 2020. Për këtë qëllim, në fillim të tetorit pritet të organizohet edhe Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes për Të Rritur, në përfundim të të cilit pritet të përcaktohet edhe përbërja e delegacionit kuqezi në Evropianin rus.