AlbanianSport.com 17/04/2020 19:25
ASNN – Sporti nuk ka munguar të shpalosë solidaritetin e tij, si në gjirin e vet, ashtu edhe kundrejt sektorëve më të ekspozuar të jetës në Shqipëri kundrejt epidemisë së koronavirusit. Një nga këto sektorë të jetës është edhe policia e shtetit, që është në fakt një nga nyjet kryesore që po ndihmon frenimin e shpërndarjes së “Covid 19”.
Janë oraret e zgjatura nëpër postoblloqe për të ruajtur respektimin e orareve të lëvizjes, që e bëjnë gjithnjë e më të detyrueshme për Policinë e Shtetit që të pajiset me masat mbrojtëse, pasi kanë dhe kontaktin më të madh me njerëzit, me ndotjen dhe, potencialisht, edhe me virusin.
Duke u nisur pikërisht nga kjo, të premten, Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) ka dhuruar për Policinë e Tiranës maska, dezinfektantë dhe doreza. “Ne nuk jemi një federatë e pasur ekonomikisht, por jemi e pasur me medalje, ashtu siç është e pasur edhe Policia e Shtetit me suksese, – ka deklaruar kreu i FSHP-së, Theodhor Masllavica.
“Duke qenë që edhe forcat e rendit janë në ballë të kësaj situate, për të mbajtur rendin e zbatuar rregullat e vendosura nga qeveria, ne si Federatë, bashkë me sponsorat tanë “Braka Oil” dhe “Masglass”, bëmë të mundur këtë ndihmë modeste.”
“Ky është kontributi ynë modest për Policinë e kryeqytetit, duke i dhuruar maska, doreza dhe dizinfektant, – shtoi ai. – Urojmë të dalim të gjithë sa më shpejt nga kjo situatë e t’i rikthehemi normalitetit.” Ky gjest u vlerësua shumë nga Drejtori i Policisë së kryeqytetit, Rebani Jaupi, dhe nëndrejtori, Dhimitraq Ziu, të cilët i pritën përfaqësuesit e Federatës dhe kampionin e Evropës, Briken Calja, në mjediset e Drejtorisë së Tiranës.