AlbanianSport.com 25.08.2016 14:05
ASNN – Partizani luan sot në mbrëmje, ndaj FC Krasnodarit, ndeshjen e kthimit të vlefshme për “play-off”-in e Ligës së Evropës. Ndeshja e parë, e luajtur në Rusi, është fituar nga FC Krasnodari me rezultatin e thellë 4-0, ndaj, për të kuqtë, misioni i kualifikimit duket i vështirë. Ndeshja Partizani-FC Krasnodar luhet duke nisur nga ora 19.30, në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
“Nuk besoj te mrekullia, por te puna e ekipit”. Me këto fjalë e ka hapur konferencën për shtyp, trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani. Pas humbjes 0-4 në Rusi, ndaj FC Krasnodarit, të kuqtë nuk kanë më shpresa për kualifikim. Duke e quajtur të mbyllur aventurën në Ligën e Evropës, trajneri Sormani ka theksuar edhe njëherë se ai dhe skuadra e tij po punojnë që sivjet ta shohin Partizanin kampion. “Nuk besoj te mrekullitë, por te puna e ekipit”, – ka thënë italiani.
“Pres të shoh në fushë një formacion që të jetë skuadër, ku çdo lojtar të bëjë detyrat e tij dhe të ndihmojë shokët, – ka vijuar kreu i stolit të të kuqve kryeqytetas. – Sfida nga FC Krasnodarit do të na ndihmojë për të parë mangësitë e skuadrës. Partizani ka 23 vjet që nuk fiton dot titullin “kampion”. Ndaj mendoj se synimi ynë kryesor është të fitojmë titullin këtë vit. Po punojmë për të ndërtuar një skuadër fituese në kampionatin shqiptar të futbollit”.
Ndërsa trajneri i FC Krasnodarit, Oleg Kononov, nuk e ka quajtur të mbyllur çështjen e kualifikimit. “Partizani është një skuadër e fortë fizikisht dhe në këtë aspekt na ka vënë në vështirësi, – ka këmbëngulur ai. – Absolutisht nuk mendoj se jemi të kualifikuar. Kemi ardhur të luajmë fort dhe duam të fitojmë. Nuk do të tolerojmë aspak.”