AlbanianSport.com 18.08.2016 21:05
ASNN – FC Krasnodari e ka mundur 4-0 Partizanin në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Ligës së Evropës. Futbollistët shqiptarë nuk kanë mundur të bëjnë lojën e tyre më të mirë, kur përballë kishin një kundërshtar të mirëorganizuar. Kjo ndeshje u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Partizani është mundur 4-0 nga Krasnodar, në ndeshjen e parë të “play-off”-it, të vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Evropës.
Skuadra kryeqytetase ka zhvilluar një lojë të dobët teksa nuk ka arritur të gjuajë asnjëherë në portën kundërshtare. Ndërsa Krasnodar, edhe pse një skuadër e re, e krijuar prej vetëm 8 vitesh, ka zhvilluar një lojë të mirë duke kaluar në epërsi që në minutën e 17-të të takimit. Ibrahimi shkakton 11-metërsh. Hoazhinjo gjuan nga pika e bardhë dhe 1-0 për skuadrën ruse. Pa kaluar 10 minuta lojë, skuadra ruse shënon golin e dytë me Fjodor Smolon.
Futbollisti rus përfiton nga një gabim i mbrojtjes sonë, e me një sprint të fuqishëm nga krahu i majtë i sulmit të vet, depërton në zonën e Partizanit duke mposhtur për të dytën herë portierin Hoxha. Partizani nuk arrin të organizohet si duhet dhe nuk krijon rrezikshmëri në portën kundërshtare. Duhej të vinte minuta e 42-të që skuadra e Sormanit të bënte goditjen e parë me anë ë Vilës në portën e Krasnodarit.
Pjesa e parë do të mbyllej me golin e tretë (44) të shënuar në fund me kokë nga polaku Jedreçuk. Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën panoramë. Partizani, që mbrohet dhe Krasnodar që sulmon. Në 72-ën minutë, braziliani Ari fikson shifrat në 4-0 për skuadrën e vet. Përfiton nga një pasim i gabuar i gardianit të të kuqve dhe e kalon topin në formë harku mbi portierin Hoxha që kishte dalë shumë para porte.
Një humbje e rëndë kjo për Partizanin që të enjten e ardhshme do të luajë ndeshjen e kthimit në Stadiumin “Elbasan Arena”.