AlbanianSport.com 18.08.2016 11:20
ASNN – Partizani, skuadra e vetme shqiptare që ka mbetur në garë në veprimtaritë kontinentale, do të luajë sonte aktin e parë të “play-off”-it të Ligës së Evropës. Të kuqtë janë mysafirë në Rusi, për t’u ndeshur me Krasnodarin, një skuadër e themeluar vetëm 8 vite më parë, por që ka ecur me hapa gjigandë, si në futbollin vendas, ashtu edhe në atë evropian.
Takimi FC Krasnodar-Partizani, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:30. Partizani shkon në takimin e sotëm me FC Krasnodarin, që është i pari në duelin e vlefshëm për “play-off”-in e Ligës së Evropës, duke shpresuar që aventura e saj kontinentale të mos mbetet thjesht “ëndërr e një nate vere”.
Të kuqtë kryeqytetas, që u eliminuan në turin e tretë të Ligës së Kampioneve dhe tani kanë një shans të fundit në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, synojnë të ndjekin hapat e Skënderbeut dhe të bëhen skuadra e dytë shqiptare që shkon në fazën e grupeve. Megjithatë, basti për të kuqtë e drejtuar nga trajneri italian, Adolfo Sormani, është i vështirë.
Kjo, sepse përballë kanë një skuadër që, ndonëse e themeluar vetëm 8 vite më parë, ka ecur me hapa gjigandë, si në futbollin vendas, ashtu edhe në atë evropian. Pas 3 javëve të luajtura deri më tani në Premier Ligën Ruse, Krasnodari mban vendin e parë, me 7 pikë, pas dy fitoreve dhe një barazimi. Trajneri i Partizanit, Sormani ka deklaruar para kësaj sfide se e vlerëson mjaft kundërshtarin, që për më tepër luan në fushë të vet, dhe se e shikon kualifikimin një mision të vështirë.
Ndërsa homologu i tij, trajneri i Krasnodarit, Oleg Kononov, e ka vlerësuar Partizanin si një ekip kompakt, por ka theksuar se skuadra ruse do të kërkojë avantazhin që në ndeshjen e parë. Takimi FC Krasnodar-Partizani, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:30.