AlbanianSport.com 28.06.2016 14:25
ASNN – Në kuadër të turit të parë eliminator të Ligës së Evropës, Partizani përballet me Sllovan Bratisllavën, skuadrën që, ashtu sikundër të kuqtë kryeqytetas, e mbylli sezonin e shkuar të kampionatit sllovak në vendin e dytë të renditjes. Takimi i parë i këtij çifti, që do të luhet të martën në Stadiumin “Elbasan Arena”, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Nënkampionia e Shqipërisë, Partizani, do të zbresë sonte në fushën e blertë të stadiumit “Elbasan Arena”, në takimin e vlefshëm për turin të parë eliminator të Ligës së Evropës. Të kuqtë kryeqytetas do të kenë përballë nënkampionen e Sllovakisë, Sllovanin e Bratisllavës, një skuadër kjo që drejtohet nga trajneri qipriot, Niki Papavasiliu.
Duke folur për mediat para ndeshjes, Papavasiliu ka pohuar se ka kujtime të këndshme nga stadiumi i Elbasanit, pasi në vitin 1989 ka luajtur me OFI Kretë për Kupën Ballkanike. “Ne barazuam në atë takim në shifrat 1-1 dhe në fund kaluam në finale, të cilën e fituam”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Pra, kam kujtime të këndshme nga Shqipëria si lojtar dhe do të jem i kënaqur edhe tani nëse e përsëris atë sukses duke fituar si trajner.”
Megjithatë, trajneri i Sllovan Bratisllavës e shikon të vështirë takimin e parë, duke e vlerësuar Partizanin si një kundërshtar të vështirë. Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të Partizanit, Sllovan Bratisllava është një kundërshtar i fortë, por jo i pakalueshëm. Për arsye të prishjes s Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, ndeshja e sotme do të luhet në Elbasan. Megjithatë, për trajnerin e përkohshëm, Sulejman Starova, zhvendosja e ndeshjes nga kryeqyteti në Elbasan nuk pritet të ndikojë tek tifozeria.