AlbanianSport.com 10/03/2024 17:05
ASNN – Partizani cinik fundos Erzenin. E mund 4-0 në Rrogozhinë, gjen fitoren e dytë radhazi. Kategoria Superiore ka nisur të dielën javën e saj të 27-të, që është edhe java e fundit e fazës së 3-të. Në takimin e parë të luajtur pasdreke në Stadiumin “Egnatia Arena”, ka qenë Erzeni që ka bërë një vëllim më të madh loje, Partizani është treguar jashtëzakonisht cinik, duke i shfrytëzuar në maksimum rastet e ndërtuara për shënim dhe duke shënuar 4 gola, edhe pse e mbylli sfidën në inferioritet numerik.
Kështu, Partizani ka siguruar 3 pikë shumë të rëndësishme në fushë të huaj përballë Erzenit, pasi ka siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat për t’u kthyer edhe një herë në vendin e dytë, të cilin e ndan për momentin me Vllazninë, që sidoqoftë ka luajtur një ndeshje më pak. Përkundër asaj që sugjeron rezultati i përgjithshëm, të kuqtë kryeqytetas vuajtën në çerekorën e fillimin të duelit.
Por, më pas, një 11-metërsh i kontestuar nga vendasit, u dha mundësinë të kalonin në epërsi me goditjen e saktë të Carës nga pika e bardhë në minutën e 17-të. Goli i Mbasë dyfishoi shifrat 14 minuta më vonë, teksa të kuqtë ishin në kontroll të plotë të ndeshjes me këtë epërsi të dyfishtë në pjesën e parë. Shijakasit kërkuan të reagojnë në pjesën e dytë, duke kërkuar të hapnin lojën.
Ata u orientuan plotësisht drejt sulmit kur Preka doli me karton të kuq 13 minuta para fundit, duke e lënë Partizanin me 10 lojtarë. Por kundërsulmet e shpejta sollën golat e Atanaskoskit, 6 minuta para fundit, dhe Bintsukasë, në minutën e 7-të shtesë, për Partizanin që vulosi këtë fitore me goleadë, për të marrë 3 pikë të rëndësishme për moralin pas eliminimit nga Kupa.