AlbanianSport.com 22/08/2018 14:25
ASNN – Një futbollist i përfaqësueses koreano-veriore është prej ditësh në provë tek Partizani, por ende nuk është vendosur nëse ai do të firmosë me të kuqtë e kryeqytetit. Mesfushori 26-vjeçar So Hjon Uk ka luajtur 33 ndeshje me përfaqësuesen e vendit të tij, duke shënuar dy gola. Duket se vetë ai apo e ardhmja e tij është po aq misterioze sa vendi nga i cili vjen.
Bëhet fjalë për futbollistin aziatik, So Hjon-Uk, i cili ka mbërritur që prej 15 gushtit 2018 në kryeqytetin shqiptar, por ende nuk ka një finalizim zyrtar nëse ai do të firmosë me klubin e kryeqytetit shqiptar apo do të kthehet prej andej nga ka ardhur. Mesfushori 26-vjeçar ka luajtur 33 ndeshje me përfaqësuesen e vendit të tij, Koresë së Veriut, duke shënuar dy gola.
Megjithatë, sipas statistikave, në dy sezonet e fundit në kampionatin e futbollit në Bosnjë-Hercegovinë, ai ka luajtur 17 ndeshje nga afro 60 të mundshmet, pra gjithsej 884 minuta. E duket se kjo i ka bërë drejtuesit e Partizanit të hezitojnë për të nënshkruar me të. Në fakt, burime zyrtare pranë klubit të kuq kanë pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se futbollisti koreanoverior është prej një jave tashmë në kryeqytetin shqiptar.
Ai është duke u vëzhguar gjatë procesit stërvitor nga trajneri Skënder Gega dhe stafi i tij teknik. Megjithatë, të njëjtat burime kanë sqaruar se ende nuk ka një vendim përsa i përket të ardhmes së tij me Partizanin. “As trajneri Gega e as drejtuesit e klubit nuk kanë marrë ende një vendim me futbollistin në fjalë, por duhet të presim, pasi ka ende kohë deri më 31 gusht 2018, kur mbyllet edhe afati i transferimeve të lojtaërve”, – sqaruan burimet pranë klubit të Partizanit.