AlbanianSport.com 13/01/2017 12:30
ASNN – Të dyja ekipet shqiptare, Partizani dhe Kamza, i humbën me të njëjtin rezultat minimal, 0-1, miqësoret e zhvilluara të premten në Turqi, por ajo që ra në sy, ishte mënyra sesi dy trajnerët iu përqasën ndeshjeve përkatëse. Nga njëra anë, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova shkaktoi jo pak habi, duke aktivizuar kryesisht vetëm lojtarët që janë aktivizuar gjatë gjysmës së parë të sezonit në kampionat.
E kundërta ndodhi me trajnerin e Kamzës, Ramadan Ndreun, i cili bëri disa lëvizje, duke rinovuar gjysmën e ekipit përgjatë ndeshjes. Kanë qenë miqësore me dy tablo ato që Partizani dhe Kamza zhvilluan të premten pasdreke në Turqi, përkatësisht ndaj Kasëmpashasë dhe ndaj Alaniasporit. Të dyja ekipet shqiptare i humbën ndeshjet me të njëjtin rezultat minimal, me të kuqtë që u ndëshkuan në fund nga goli i Trezegesë.
Ndërsa kamzalinjtë nuk arritën ta kapërcenin pësimin e golit që në minutën e 33-të, me autor Sakein. Por ajo që ra në sy, ishte mënyra sesi dy trajnerët ia qasën ndeshjeve përkatëse. Nga njëra anë, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova shkaktoi jo pak habi, duke aktivizuar kryesisht vetëm lojtarët që janë aktivizuar gjatë gjysmës së parë të sezonit në kampionat.
Ndonëse të kuqtë kanë bërë disa përforcime gjatë kësaj merkatoje të janarit, Starova zgjodhi të aktivizojë vetëm mesfushorin Bruno Telushi në formacionin e parë, ndërsa një tjetër blerje, Belica, u aktivizua në qendër të mbrojtjes në fillimin e pjesës së dytë. Ndërkaq, Maliqi dhe mesfushori Esat Mala, por edhe sulmuesi Ameth Foll, u lanë në stol gjatë gjithë ndeshjes.
Një zgjedhje e çuditshme kjo e trajnerit 62-vjeçar të Partizanit, për më tepër në një miqësore që për qëllim kishte më tepër vënien në provë të përforcimeve, sesa arritjen e një rezultati të pranueshëm dhe që nuk do të kritikohej më pas. E kundërta ndodhi me trajnerin e Kamzës, Ramadan Ndreun, i cili bëri disa lëvizje, duke rinovuar gjysmën e ekipit përgjatë ndeshjes.
Trajneri i Kamzës aktivizoi Zguron, por edhe Bashën, Syziun, Ramiun dhe Agalliun. Madje, sipas burimeve pranë klubit të Kamzës, drejtuesit e klubit të Alaniasporit kanë shfaqur interesim për mesfushorin 20-vjeçar të Kamzës, Mumajesin.