AlbanianSport.com 30.05.2016 13:45
ASNN – Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, me një vendim personal, ka emëruar drejtor të përgjithshëm të klubit Genc Tomorrin. Kreu i të kuqve ka thënë se për të patur një skuadër elitare duhen edhe drejtues me mentalitet të përparuar, të cilët të kryejnë detyrat si duhet.
Genc Tomorri do të jetë Drejtori i ri i Përgjithshëm i Partizanit. Ka qenë vetë presidenti I të kuqve, Gaz Demi ai që ka e bërë publik lajmin para mediave. I pyetur për largimin e ish drejtorit Dervishi, presidenti Demi është përgjigjur: “Unë jam biznesmen dhe sportin e shoh gjithashtu si biznes”.
“Prej tre javësh kanë nisur punimet për ndërtimin e klubit të Partizanit dhe ju siguroj që po punohet me tre turne, – ka vijuar ai. – Në shtator do të kemi mundësi të stërvitemi në shtëpinë tonë.” Ndërsa drejtori i ri i Partizanit, Genc Tomorri, është shprehur se do të japë ndihmesën e tij për ta parë skuadrën në elitën e futbollit.
Tomorri, një njeri me shumë eksperiencë në mbajtjen në këmbë të akademisë së Partizanit, tha se synimi i tij dhe i drejtuesve më të lartë është të ndërtojë një klub modern që do t’u kthehet edhe trofeve në të ardhmen. “Unë do të bëj atë që kam bërë gjithmonë të punoj me përkushtim për Partizanit”, – tha ai.
“Të gjithë së bashku do të ndërtojmë një klub modern”, – shtoi ish-futbollisti i të kuqve. Aktualisht skuadra e Partizanit është me pushime, por brenda javës së parë të qershorit futbollistët do të grumbullohen për të nisur përgatitjet për Ligën e Evropës. Sipas presidentit Gaz Demi, në skuadër do të qëndrojë rreth 80% e futbollistëve aktualë.
Do të ketë prurje të reja, si në stafin drejtues ashtu edhe tek lojtarët, tha ai, duke shtuar: “Partizani e ka trajnerin, Andrea Agostinellin por kjo nuk na pengon që të mendojmë për më të mirën dhe të afrojmë një emër të ri, sigurisht nëse përmbush pritshmëritë tona si klub historik.”