AlbanianSport.com 26/09/2021 21:40
ASNN – Ndajnë nga një pikë në “Elbasan Arena”, me Rrapajn që zhbën në fund golin e Da Silvës. Nga një gol për secilën skuadër, në secilin skaj të kohës së rregullt, ka bërë që përballja e vlefshme për javën e 3-të të Kategorisë Superiore, midis Partizanit dhe Vllaznisë, të mbyllet në barazim 1-1. Takimi i zhvilluar të dielën në mbrëmje në Stadiumin “Elbasan Arena” ka nisur më mirë për të kuqtë, që rrezikojnë pas dy minutash lojë me anë Zhuniorit, që nuk e gjen dot rrugën e rrjetës. Atë që nuk e bën braziliani i Partizanit, e bën dy minuta më pas braziliani i Vllaznisë, Viktor Da Silva, që gjen rrugën e rrjetës me një goditje me kokë.
Gjysmëora në vijim ka parë Vllazninë të administrojë epërsinë minimale përballë një Partizani të lexueshëm në lojë dhe që kufizohet në goditjet nga larg për të rrezikuar portën shkodrane. 10 minutat e fundit të pjesës së parë shohin shkodranët të provojnë të rrezikojnë portën e gardianit kuqezi Alban Hoxha, që devijon një goditje të lirë të Latifit në minutën e 35-të dhe reagon me shpejtësi dy minuta më pas për t’i fituar topin Da Silvës. Me Vllazninë që këmbëngul, por humb Da Silva për dëmtim pas atij kontakti me Hoxhën, por me epërsinë minimale të saj do të mbyllen 45 minutat e para.
Përtej pretendimeve të Vllaznisë për një 11-metërsh me fillimin e së dytës, çerekora e parë e do të shohë një lojë në mesfushë, me skuadrat që bëjnë shumë gabime në pasime, duke mos arritur të krijojnë aksione të rrezikshme. Por gjysmëora e fundit e ndeshjes ka parë skuadrën e trajnerit Ilir Daja ta hedhë gjithnjë e më tepër vështrimin drejt portës kundërshtare, me Zhunjorin protagonist në minutën e 71-të, kur largon Adili një top të rrezikshëm në zonë, dhe në të 76-tën. Ndërkohë që trajnerët Daja dhe Tomas Brdariç kanë nisur manovrat me ndërrimet e tyre, loja është hapur, me Partizanin që kërkon golin me ngulm, por edhe me Vllazninë që përpiqet të godasë nëpërmjet kundërsulmit.
Dhe alarmi i kuq ndizet në portën shkodrane në minutën e 86-të, kur Zogoviç, i ndihmuar nga shtylla horizontale, i mohon në mënyrë heroike golin e barazimit Filipoviçit. Por vetëm dy minuta më pas, Partizani e gjen golin e barazimit, me anë të Rrapajt, që finalizon befasisht një këmbëngulje të gjatë të Partizanit. Pavarsisht dt minutave të mbetura dhe 4 minutave shtesë dhe përpjekjeve të Partizanit për të përmbysur shifrat, mbyllet në barazim 1-1 kjo përballje me Vllazninë, që ishte i dyti për të dyja skuadra, por që lë të kuqtë kryeqytetas ende pa shijen e fitores në këto 3 javë të para.