AlbanianSport.com 05.06.2016 16:40
ASNN – Me një buxhet prej 7 milionë euro, të ofruara nga presidenti i Partizanit, Gaz Demi, kanë filluar punime për ndërtimin e Akademisë së Futbollit. Ajo do të ketë të gjitha kushtet për stërvitjen e fëmijëve të të gjitha moshave si dhe të ekipit të parë të Partizanit. Presidenti Demi ka siguruar se kjo Akademi do të jetë ndër më të mirat në Ballkan.
Akademia e futbollit të Partizanit ka filluar të marrë jetë. Bazuar në një projekt të realizuar nga studio shqiptare, italiane dhe holandeze kanë filluar punimet për ndërtimin e tij. Sipas presidentit të Partizanit, Gaz Demi kjo akademi do të jetë ndër më të mirat në Ballkan. Akademia do të ketë në përbërje hotelin për futbollistët, sallë force, dy fusha stërvitore dhe stadiumin që do të ketë një kapacitet prej 4,500 vetësh.
Presidenti Demi ka siguruar se pagesat për fëmijët në këtë akademi nuk do të rëndojnë xhepat e prindërve. Buxheti i dhënë nga presidenti i Partizanit, Gaz Demi, për ndërtimin e Akademisë së futbollit fillimisht do të jetë rreth 7 milionë euro.