AlbanianSport.com 20/02/2024 15:25
ASNN – Partizanit i mjafton një “ish” në Kukës. Goli i i Gjelbrim Taipit u je fitoren të kuqve në takimin e parë të çerekfinaleve të Kupës. Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka nisur të martën fazën çerekfinale, teksa janë luajtur ndeshjet e para të dy prej çifteve të para të saj.
Në takimin e luajtur pasdreke, Partizani ka mposhtur minimalisht Kukësin, teksa sfida e zhvilluar në Stadiumin “Kukës Arena” dhe që ka shënuar edhe debutimin e trajnerit Bledar Devolli në stolin e verilindorëve, u vendos nga një “ish”. Në fakt, ndeshja ka nisur më mirë për miqtë, që provuan disa herë në drejtim të portës së Tafasit.
Por, të kuqtë u goditën nga dëmtimi i Skukës, i cili la fushën me barelë në minutën e 19-të. Një zevëndësim i detyruar ishte dhe për Kukësin në 20 minuta më pas, pasi Da Mota u dëmtua dhe i la vendin e tij në fushë Felipe Rajan. Goli erdhi në fundin e pjesës së parë nga ish-kapiteni i verilindorëve, Gjelbrim Taipi.
Pas një topi të dhënë nga Cara, ai shënoi me portën e boshatisur, por nuk festoi në shenjë respekti për ish-klubin ku aktivizohej. Pjesa e dytë ishte më e vakët, me verilindorët që provuan disa herë për të shënuar, por pa mundur të gjenin dot rrjetën e portës së mbrojtur nga gardiani mik, Qirko.
Kështu Partizani hedh hapin e parë drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, teksa sfida e kthimit do të luhet më 5 mars 2024 në fushën e saj, në Stadiumin “Arenën e Demave”.