AlbanianSport.com 10/07/2019 19:20
ASNN – Të kuqtë kryeqytetas, një rezultat premtues në të parën e turit të parë të Ligës së Kampioneve. Është mbyllur me rrjeta të paprekura përballja e parë e Partizanit me azerët e Karabagut, e vlefshme për turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve. Ndeshja e luajtur të mërkurën në mbrëmje në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Partizani ka marrë një barazim pa gola, por mjaft të vyer në shtëpi, në takimin e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve përballë Karabagut.
Në fakt, pjesa e parë e ndeshjes së luajtur të mërkurën në mbrëmje në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë një vëllim më të madh loje të azerëve, përballë një Partizani të tërhequr në gjysmëfushën e vet dhe që luan ngjeshur taktikisht. Për rrjedhojë, rasti i parë për t’u përmendur do të vijë vetëm në minutën e 19-të. Në të parin aksion të rrezikshëm të miqve, një top i gjatë nga e djathta e sulmit nuk neutralizohet siç duhet nga mbrojtja e Partizanit.
Por Dani Kuintana shpërdoron në mënyrë të pabesueshme me gardianin e të kuqve, Hoxha të dorëzuar dhe me portën në mëshirën e tij. Partizani do të reagojë në minutën e 25-të, kur Asani godet në kufinjtë e zonës, topi përfundon jashtë, jo shumë larg kuadratit. Kundërpërgjigjen azerët dhe në dy minutat në vijim, e mbajnë nën presion portën e Partizanit, por pa e gjetur dot rrjetën. Loja do të rikthehet në monotoni dhe pjesa e parë e do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Pjesa e dytë ka nisur më mirë për Partizanin.
Dhe, në 3 raste të njëpasnjëshme brenda 90 sekondash lojë, nga minuta e 50-të, deri në të 52-tën, të kuqtë rrezikojnë fillimisht me një goditje me kokë të Çinarit, më pas godasin edhe shtyllën horizontale, pas një goditjeje me kokë të Belicës, ndërsa në vijim të aksionit, portieri mik neutralizon edhe një goditje brenda zonës të Kordeiros. Një moment i mirë loje për të kuqtë, por fatkeqësisht, i pakonkretizuar me gol. 40 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato pak minuta shtesë do të vijojnë të karakterizohen nga loja e disiplinuar taktikisht.
Me miqtë më dominues, dhe me Partizanin duke u mbrojtur me sukses dhe duke synuar portën kundërshtare me anë të kundërsulmit. Në minutën e 79-të, Trashi i sapofutur kërkon të gjejë të papërgatitur portierin mik me një gjysmë-harkim, gjysmë-goditje, por nuk e gjen dot kuadratin. Nuk arrin kështu të prodhojë gola kjo ndeshje dhe gjithçka do të mbyllet me një barazim të bardhë midis Partizanit dhe Karabagut, çka nënkupton se gjithçka do të vendoset pas një jave në kryeqytetin azer.