AlbanianSport.com 17/04/2020 17:55
ASNN – Thuhet shpesh idetë më gjeniale kanë lindur në kohët më të vështira. E ky është pikërisht rasti i kampionit të dyfishtë olimpik, Alister Braunli, i cili e ka kthyer garazhin e shtëpisë së tij në Lids, në Britaninë e Madhe, në një pishinë, për të mbajtur veten në formë gjatë periudhës së izolimit për shkak të epidemisë së koronavirusit. Sipas asaj që raporton e përditshmja më e madha angleze, “The Sun”, 31-vjeçarit i erdhi kjo ide kur u vendos në shtëpi para se të zbatoheshin masat kufizuese në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo nënkupton se ai mund të vazhdojë me stërvitjet e notit, ndërsa sporti mbetet i pezulluar. Alisteri dhe vëllai i tij, 29-vjeçari Xhoni, parashikoheshin të garonin këtë fundjavë në Bermuda, në kuadër të Serisë Botërore të Triatlonit, garë që do të shërbente edhe si turne kualifikues për Lojërat Olimpike të Tokios. Krerët e këti sporti e pranojnë se mund të jenë të detyruar të anulojnë gjithë sezonin, teksa vetë Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë pezulluar për një vit dhe do të mbahen në 2020-shin, po në kryeqytetin japonez.
Por, Alisteri po vazhdon të mbajë formën dhe synon të fitojë të artën olimpike për herë të 3-të. “Po bëj çfarë po mundem dhe atë që kam bërë gjithmonë, ndërsa po respektoj udhëzimet”, – ka thënë Alisteri për të përditshmen “The Sun”. Ai është duke përdorur teknika të ngjashme të ushtrimeve që kishte aplikuar kur pësoi një dëmtim të rëndë disa muaj para Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012. Atëherë, ai ishte kthyer në formë dhe pati fituar të artën. “Ishte vendimtare, – ka zbuluar sportisti i ujit. – Për 6 javë, nuk po mund të bëja asnjë vrapim.”
“Kështu që atëherë kisha bërë vetëm not”, – ka kujtuar britaniku, i cili ka shpjeguar edhe si funksionon pishina e tij portative. “Në këtë pishinë është sikur të notosh në një rrymë të fortë detare, – ka sqaruar Alister Brounli. – Unë po notoj në një vend, ndërsa uji lëviz rreth meje. Unë po bëj not 40 deri 45 minuta, çdo mëngjes. Shpresoj që të jem në formë të mirë në kohën për Lojërat Olimpike.” Kjo pishinë e llojit të veçantë, e quajtur “Endless Pool” (Pishina e pafundme), e cila është në fakt e barazvlefshme me një pistë vrapimi statike, ku notari noton në vend, por ai sfidohet nga rrjedha e ujit.