AlbanianSport.com 31/08/2021 19:25
ASNN – Edhe mesfushori i talentuar, Klevi Qefalija, disa herë pjesë e Kombëtares shqiptare të Nën-19-vjeçarëve, u shpreh i lumtur që është edhe kësaj herë pjesë e grumbullimit. Ai foli për objektivat e ekipit për këto dy ndeshje, marrëdhënien me stafin kuqezi si dhe synimet për të ardhmen.
“Jam shumë i lumtur për ftesën pasi për çdo lojtar është kënaqësi e madhe të luash për Kombëtaren dhe ndihem i vlerësuar që jam pjesë e këtij grumbullimi dhe që mora ftesën e radhës”, – ka thënë ai gjatë konferencës për shtyp të mbajtur të martën.
“Objektivat e ekipit jo vetëm për këto dy ndeshje, por edhe për ndeshjet e tjera në vijim janë të krijojmë një grup sa më të fortë, të bëjmë paraqitje dinjitoze në Eliminatoret e Kampionatit Evropian dhe pse jo të marrim dhe rezultate më të mira, pasi nuk kemi ndrojtje përballë asnjë kundërshtari që do të luajmë”, – ka vijuar Qefalia.
“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë, pavarësisht se luajmë në klube të ndryshme, gjithmonë kemi një harmoni ne grup, – ka vijuar futbollisti kuqezi. – Synimet për të ardhmen janë që të bëjmë një paraqitje dinjitoze në Kampionatin Evropian ndërsa në aspektin personal është të luaj me ekipet më të mëdha të Evropës. Si edhe të jem pjesë e Kombëtares së madhe, është një ëndërr që shpresoj të bëhet realitet.”