AlbanianSport.com 04/10/2018 13:30
ASNN – Nga data 1 tetor 2018, Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve ka nisur përgatitjet për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe, ku kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin 8 së bashku me Norvegjinë, Sllovakinë dhe Ukrainën. Trajneri Erjon Bogdani ka grumbulluar për këto përballje 23 futbollistë.
Vetë lojtarët pranojnë se janë gati dhe mezi presin të luajnë. Edhe pse e dinë që përballë do të kenë kundërshtarë të vështirë si Ukraina, dy mbrojtësit e kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, Enes Isufi dhe Marsel Ismailgeci, shpresojnë se mund të dalin të parë në grup.
“Kemi disa ditë që po stërvitemi, shokët e skuadrës janë gati, të gjithë mezi i kemi pritur këto ndeshje dhe në çdo seancë stërvitore po japim 100 % nga vetja, në mënyrë që në këto ndeshje eliminatore të dalim sa më mirë, – ka theksuar Isufi. – Shpresojmë shumë të dalim të parët në grup.”
“Ende nuk jemi grupi i plotë pasi presim edhe disa shokë të tjerë që t’i bashkohen skuadrës sonë përfaqësuese, – ka vijuar ai. – Sa u përket kundërshtarëve, ne e dimë që ato janë ekipe të forta, por ne kemi objektivat tona. Kemi disa grumbullime me të njëjtin grup shokësh dhe kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të mira.”
Ndërsa mbrojtësi tjetër, Marsel Ismajlgeci, tha: “Grumbullimi po shkon shumë mirë, jemi stërvitur fortë dhe të gjithë po japim maksimumin dhe shpresoj që do të ecim mirë. Në fakt u bënë disa grumbullime që jemi të gjithë së bashku dhe mendoj se jemi përshtatur me lojën e njëri tjetrit.”
“Gjatë gjithë kohës rrimë bashkë dhe jemi të afërt si në fushë dhe jashtë saj”, – ka shtuar ai. Ndeshjet e grupit të Shqipërisë në grupin eliminator të Evropianit të Nën-19-vjeçarëve do të zhvillohen nga data 10, deri më 16 tetor 2018, në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe në Stadiumin “Fuat Toptani” të Kamzës.