AlbanianSport.com 22.04.2017 13:35
ASNN – Përfaqësuesja e Nën-17-vjeçarëve të Shqipërisë, e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, ka nisur përgatitjet për Eliminatoret e “Evropianit 2018” të kësaj grupmoshe. Trajneri shprehet optimist se kuqezinjtë e vegjël do të arrijnë të kualifikohen për në turin tjetër, atë të “Elitës”. 61-vjeçari, në këtë detyrë që nga viti 2011, thekson se e kishte parashikuar rritjen e nivelit të përfaqësimit të futbollit shqiptar në Evropë, pasi është punuar profesionalisht për këtë objektiv.
Të hënën, përfaqësuesja e Nën-17-vjeçarëve të Shqipërisë, e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, do të udhëtojë niset drejt Qipros për një turne miqësor që pritet t’i shërbejë trajnerit boshnjak për përzgjedhjen e futbollistëve më cilësorë si dhe për krijimin e një grupi sa më solid për turin eliminator të Europianit të vitit 2018. Mustedanagiçi shprehet optimist se kuqezinjtë e vegjël do të arrijnë të kualifikohen për në turin tjetër, atë Elitë.
“Grupi ku bëjmë pjesë është shumë i fortë sepse do të kemi përballë Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshteinin, – ka thënë trajneri boshnjak i kuqezinjve të vegjël. – Për të arritur kualifikimin duhet të mundim një nga dy skuadrat pretendente dhe në këtë rast mund të pretendojmë të kalojmë Kroacinë. Kjo do të jetë ndeshje kyç për ne.” Në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit do të zhvillohet një tjetër turne i rëndësishëm, në fund të të cilit do të përcaktohet grupi që do të udhëtojë drejt Kroacisë në tetor për Eliminatoret e Evropianit.
“Kemi disa mundësi për të provuar, por si provë e përgjithshme për ne do të jetë turneu që do të zhvillohet në Kazakistan, pasi pikërisht ai grup do të jetë edhe në paraeliminatoret e Evropianit që do të zhvillohen në Kroaci”, – ka thënën Mustedanagiçi.
61-vjeçari, i cili është në këtë detyrë që nga viti 2011, thekson se e kishte parashikuar rritjen e nivelit të përfaqësimit të futbollit shqiptar në Evropë, pasi është punuar profesionalisht për këtë objektiv.
“Kurrë më parë nuk kemi patur prurje kaq të mëdha nga futbolli shqiptar, – ka këmbëngulur trajneri i Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve. – Po e lë pak modestinë dhe po ju kujtoj se kohë më parë jam shprehur se pas 4-5 viteve Shqipëria do të jetë një rol të rëndësishëm në Evropë. Dhe në të vërtetë Shqipëria u kualifikua në Evropian. Në futboll gjithçka ka kohën e vet, por duhet programim dhe punë serioze. Nëse do të punohet mirë rezultatet do të vijnë. Fëmijët shqiptarë janë talente.”