AlbanianSport.com 17.05.2016 16:15
ASNN – FSHF u dhuron shkrimtarëve fanellat e kombëtares. Pak javë nga debutimi në Euro 2016, Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë mbështetjen edhe të dy emrave të mëdhenj të letërsisë. Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli kanë marrë si dhuratë nga Federata Shqiptare e Futbollit fanellat zyrtare të përfaqësueses kuqezi. Kombëtarja e futbollit dhe pjesëmarrja e saj në finalet e “Euro 2016” ka bërë bashkë edhe dy emrat e mëdhenj të letërsisë shqiptare.
Federata Shqiptare e Futbollit me anë të presidentit të saj, Armand Duka i ka dhuruar Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit fanellat kuqezi, me të cilat përfaqësuesja e Xhovani De Biazit do të luajë në Kampionatin Evropian. “Jam i ndjeshëm kur ngjarje të tilla krijojnë një atmosferë të gëzueshme, – ka thënë Kadareja. – Kur ju më nderoni me një fanellë, unë mendohem, “po ka ndonjë lidhje më të thellë futbolli me artin tonë” dhe më shkoi mendja se paska, por jashtë vëmendjes, sepse nuk e kisha menduar.”
“Një nga pikat e takimit të garave sportive me artin kanë ndodhur pikërisht në amfiteatrot e vjetra, – ka vijuar shkrimtari shqiptar me famë botërore. – Ku siç konkurronin sportistët, konkurronin shfaqjet teatrale. Këto janë qenë fillimi i fillimit të artit letrar.” Ndërkohë, Dritëro Agolli e ka cilësuar si historik kualifikim e kombëtares në “Euro 2016”. “Jam vërtetë i nderuar që sot marrë një dhuratë të shumë çmuar”, – ka thënë poeti i njohur.
“U bë vërtetë histori hyrja në Kampionatin Evropian, – shtoi ai. – Ishte një sukses i madh.” Fanellat e kombëtares iu janë bërë dhuratë dy shkrimtarëve vetëm pak javë nga debutimi i skuadrës kuqezi në fazën finale të Euro 2016.