Nga Altin B. Kodra 24.07.2017 09:45
ASNN – Na ishte një herë një derbi… Duket se kjo fjali me të cilën fillon thuajse çdo përrallë për fëmijë është bërë lajtmotivi i futbollit të kryeqytetit shqiptar, që në kuptimin e vërtetë të fjalës është katandisur si kokoshi një thelë. Tirana, Partizani dhe Dinamo kanë fituar së bashku 57 nga ofro 80 titujt “kampion” të shekullit të fundit, si dhe 43 nga 65 Kupat e Shqipërisë, duke konfirmuar kështu dominimin e futbollit shqiptar nga 3-shja e madhe e kryeqytetit.
Por kjo tanimë i përket së shkuarës, sidomos me rënien nga Kategoria Superiore të Tiranës, e cila i bashkohet kështu dy rivaleve të tjera të kryeqytetit, duke provuar fatin e keq të shijimit të garës në nivelet e ulëta të Kampionatit Kombëtar. I pari ishte Partizani, i cili, me atë humbje në duelin e mbijetesës me Kastriotin në fundin e sezonit 2009-2009, nisi një kalvar 5-vjeçar, gjatë të cilit preku fundin, duke zbritur madje edhe në nivelin e 3-të të kampionatit, që njihet ndryshe si Kategoria e Dytë.
Gjatë asaj kohe, derni i vetëm i kryeqytetit mbeti ai midis bardhebluve të Tiranës dhe bluve të Dinamos. Por, me rikthimin në Superiore të Partizanit, një tjetër rivale kryeqytetase zbriti poshtë. Ndonëse në sezonin 2009-2010 siguroi titullin e 18-të “kampion”, vetëm dy sezone më pas, në atë 2011-2012, blutë e mbyllën kampionatin me vetëm 13 pikë nga 26 ndeshje, duke fituar vetëm 3 ndeshje dhe duke rënë nga kategoria për herë të parë në histori.
Dhe që atëherë, klubi kryeqytetas luan në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ku edhe ka flirtuar me rënien në Kategorinë e Dytë. Përgjatë 5 viteve të fundit, derbi i vetëm i kryeqytetit mbeti ai Tirana-Partizani, por, me rënien e bardhebluve, Partizani mbetet i vetmi flamurmbajtës i kryeqytetit, ndonëse duket se do të ngushëllohet me një tjetër pseudo-derbi, atë ndaj Kamzës, që, teknikisht nuk është më pjesë e kryeqytetit, duke qenë tanimë një bashki më vete.
Për më tepër, ndarja e Tiranës dhe e Dinamos në dy grupe të ndryshme në Kategorinë e Parë ka eliminuar edhe mundësinë e një derbi tjetër një nivel më poshtë…
Bilanci i kryeqytetaseve:
Tirana 24 kampion 26 tituj të tjerë (16 Kupa të Shqipërisë)
Partizani 15 kampion 18 tituj të tjerë (15 Kupa të Shqipërisë)
Dinamo 18 kampion 15 tituj të tjerë (13 Kupa të Shqipërisë)