AlbanianSport.com 14.12.2016 13:20
ASNN – Kashima Entllërs është skuadra e parë finaliste e Botërorit të Klubeve, të organizuar në Japoni nga FIFA. Skuadra japoneze ka mundur në gjysmëfinale Atletiko Nacionalin e Kolumbisë me rezultatin 3-0. Kjo është hera e parë për një skuadër japoneze që arrin në finalen e një turneu të tillë madhor. Kështu, Kashima bën historinë në futbollin japonez të klubeve.
Ajo është skuadra e parë finaliste e Botërorit të klubeve, ndërsa edhe një herë ligji i pashkruar i futbollit, “nëse nuk shënon, ndëshkohesh”, bëhet realitet në këtë sfidë. Kolumbianët prodhojnë lojë, krijojnë raste, madje godasin edhe dy herë shtyllat e portës japoneze, por nuk finalizojnë si duhet.
Ndërkohë, janë futbolistët japonezë ata që dinë të shfrytëzojnë rastet e krijuara duke shënuar 3 gola në portën e Armanit. Në këtë veprimtari është përdorur edhe zyrtarisht teknologjia. Dhe ajo vihet në zbatim pikërisht në minutën e 29-të, kur gjyqtari Kasai detyrohet të rishikojë pamjet në ekran dhe më pas të japë 11-metërsh për Kashima Entllërs.
Nga pika e bardhë gjuan Shoma Doi dhe 1-0 për Kashiman. Nuk dorëzohen kolumbianët, por nuk janë të saktë në finalizim, siç ndodh në minutën e 36-të, kur kemi një sulm të bukur të kolumbianëve, por që nuk finalizojnë. Tjetër sulm i kolumbianëve 4 minuta më pas, por mbrojtësit e Kashimas janë të kujdesshëm. Janë minuta të mira këto të skuadrës kolumbiane, por portieri Sogahata nuk lejon topin të shkojë në rrjetë.
Minuta të mira për Atletikon por edhe portieri Sogahata është në një ditë të mirë dhe nuk lejon topin të përfundojë në rrjetë. Në minutën e 3-të shtesë të pjesës së parë, Torres godet madje edhe shtyllën dhe kështu mbyllet ky fraksion loje me epërsinë minimale të Kashimas. Pjesa e dytë flet tërësisht për Atletikon. Raste të njëpasnjëshme por mbrojtja japoneze është e saktë.
Dhe, pikërisht në këto minuta të mira të skuadrës kolumbiane, Kashima shënon golin e dytë, pasi është Endo ai që realizon në minutën e 82-të. Një gabim i pafalshëm i portierit Armani dhe Endo shënon. Dëshpërimi është i dukshëm në fytyrat e futbollistëve kolumbianë që e shohin veten praktikisht të eliminuar nga kjo veprimtari. Fundi i ndeshjes sjell edhe golin e tretë për Kashiman.
Eshtë Suzuki që realizon në minutën e 84-t, duke përfituar nga një shthurje e përgjithshme e mbrojtjes së kolumbianëve. Kashima kalon kështu në finale dhe pret kundërshtarin që do të dalë nga gjysmëfinalja tjetër, Real Madrid-Klub Amerika, e cila luhet të enjten në orën 11.30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.