AlbanianSport.com 14/02/2020 18:55
ASNN – 24-vjeçari i “Suzuki”-t pret që kampioni i botës të jetë gati dhe sërish pretendent për sezonin e ri. Aleks Rinsi, një nga rivalët e spanjollit Mark Markez, mendon se nuk ka arsye për t’u shqetësuar sa i përket kampionit në fuqi të botës në nisjen e sezonit të ri. Në fakt, ka krijuar shumë pikëpyetje si paraqitja e tij, por edhe ajo e motorit dhe Markezi taninë është shndërruar në një çështje në botën e Moto GP-së kur kanë mbetur edhe pak javë nga nisja e sezonit të ri.
Vetëm kampioni në fuqi i botës në Moto GP e ka pranuar se ai është më i shqetësuar për motorin sesa për gjendjen e tij fizike gjatë periudhës së parë të testeve para-sezonale, të zhvilluara në Malajzi. Por një nga rivalët e spanjollit, Aleks Rinsi mendon se nuk ka arsye për t’u shqetësuar sa i përket kampionit në fuqi të botës në nisjen e sezonit të ri. “Marku ka përvojë me “Honda”-n, ai e di se ku i ka kufinjtë e mundësive të tij dhe se deri ku mund të shkojë”, – ka deklaruar piloti i “Suzuki”-t.
“Tani ai nuk është në formë të plotë fizike, por, në Katar, jam i sigurt që ai do të jetë aty në rreshtin e parë dhe pretendent kryesor, – vijoi më tej spanjolli, duke folur për bashkatdhetarin e tij. – A mundet ndonjëri prej nesh që ta mundë kampionin e botës? Nuk e di. Unë e munda Markezin në Silverstoun, por nuk di nëse ndonjëri prej nesh ka qëndrueshmërinë e nevojshme për ta mundur. Kuartararo ishte shumë mirë në gjysmën e dytë të sezonit dhe mund të jetë një pretendent.”
Aleks Rinsi ishte një nga pilotët që u paraqit mirë sezonin e shkuar, krahas Andrea Doviociozos dhe Maverik Vinjalesit dhe pritet ta sfidojë deri në fund kampionin e botës në Moto GP.