AlbanianSport.com 06/10/2019 12:25
ASNN – 24-vjeçari, në Spitalin e Traumës, i është vendosur dren torakal për të pastruar mushkërinë. Rreziku nuk ka kaluar ende, por të paktën mjekët japin shpresë se gjendja e futbollistit Aldo Teqja, është përmirësuar ndjeshëm, ndonëse duhet theksuar se është ende herët për të folur me siguri.
Teqja gjendet në Spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve, që informojnë se 24-vjeçari për fat të mirë nuk ka thyerje në shtyllën kurrizore, dëmtime të kokës, por mushkërinë e majtë e ka dëmtuar rëndë. Mësohet se Teqja është përplasur me një tendë gjatë rënies nga kati i 6-të i pallatit ku banonte, duke pësuar shembje.
Mjekët po shqyrtojnë mundësinë e hemorragjive të brendshme, si edhe të problemeve në shtyllën kurrizore, që mund të shfaqen më vonë tek lojtari. Sipas informacioneve të së dielës paradite, situata e ish-portierit të Kombëtares së Nën-19 dhe Nën-21-vjeçarëve, por edhe të Skënderbeut është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri për jetën.
Mjekët kanë pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptare se nga rënia ka dëmtuar mushkërinë dhe është nën pavionin e kirurgjisë, aty ku dhe është vendos dren torakal për të pastruar mushkërinë. Gjendja e futbollistit raportohet se është e qëndrueshme pas konsultës së paradites.