AlbanianSport.com 10/02/2024 16:10
ASNN – Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vijuar me testet fizike dhe seminarin teorik, teksa këtë herë ishte radha e gjyqtareve dhe ndihmësgjyqtareve femra që fillimisht u janë nënshtruar testeve fizike në mjediet e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet. Ky procesi po kryhet në prag të rifillimit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave, i cili do të nisë me pjesën e dytë të sezonit fundjavën e ardhshme.
Gjyqtaret dhe ndihmësgjyqtare shfaqën një formë shumë të mirë dhe i kaluan me sukses testet fizike, ndërsa më pas kanë ndjekur seminarin teorik, ku janë diskutuar e analizuar edhe situata të ndryshme të ndodhura përgjatë fazës së parë të kampionatit. Duke folur folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit gjyqtarja anësore, e cila mban edhe stemën e FIFA-s, Mirjeta Salla, shpjegoi rëndësinë që ka ky proces në prag të rifillimit të pjesës së dytë të sezonit të femrave.
“Jemi në pritje të fillimit të fazës së dytë, – ka thënë ajo. – Jemi mbledhur të gjitha vajzat, gjyqtaret dhe ndihmësgjyqtaret, për të kryer testimet fizike si fillim, më pas do të vazhdojmë me seminarin teorik dhe video-testin në sallë. Do të diskutojmë edhe ecurinë e fazës së parë në kampionatin e vajzave.”
“Gjatë seminarit do të merremi me pjesën teknike, me rregullat e lojës, pastaj do të diskutojmë edhe problematikat që kemi hasur gjatë fazës së parë si edhe mënyrën se si t’i përmirësojmë ato duke parë video dhe duke diskutuar rreth rregullave të ndryshme”, theksoi Salla. Më tej, ajo shtoi se synon që në të ardhmen të gjykojë në finalet e një kampionati të moshave për vajza.
“Duke parë edhe suksesin e vajzave tona, mund të themi që pjesa ndërkombëtare nuk është më një ëndërr e parealizueshme. Synojmë që të rrisim sa më shumë nivelin tonë në ndeshjet ndërkombëtare, pastaj personalisht dëshirojë që në vitet e ardhshme të jem pjesë e ndonjë turneu final të moshave të vajzave”, – përfundoi gjyqtarja anësore, Mirjeta Salla.