AlbanianSport.com 27/03/2020 20:45
ASNN – Ministri Italian i Sporteve shuan shpresat për një rinisje të shpejtë të Serisë A. Italia është njëra ndër vendet më të prekura në botë nga koronavirus dhe Ministri i Sportit, Spadafora, thotë se do të jetë e vështirë që sezoni të përfundohen më 30 qershor, siç janë udhëzuar Federatat nga UEFA. “Unë mund ta them me siguri që, edhe nëse rinisin eventet sportive, ato do të zhvillohen pa tifozë”, – ka theksuar ai.
Ministri i Sportit në qeverinë italiane, Vinçenco Spadafora, beson se autoritetet u treguan më optimistë sesa që duhet kur shpresuan që kampionati i Serisë A të rinisë më 3 maj. Sezoni aktual i futbollit në Evropë është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar për shkak të krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur mbi gjysmë milioni njerëz në të gjithë botën, ndërsa u ka marrë jetën afron 24,500 vetëve.
Pesë kampionatet më të mëdha të kontinentit, Premier Liga angleze, Liga spanjolle, Bundesliga gjermane, Liga 1 dhe Seria A e Italisë, janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe kampionatet e vendeve të tjera evropiane e kanë ndjekur këtë shembull. Duke synuar që sezoni i klubeve do të përmbyllet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe gjatë verës për ta përfunduar sezonin 2019-2020.
Megjithatë, Italia është njëra ndër vendet më të prekura nga ky virus në botë dhe Spadafora thotë se do të jetë e vështirë që sezoni të përfundohen më 30 qershor, siç janë udhëzuar Federatat nga UEFA. “Parashikimet që na bëjnë të mendojmë që futbolli mund të rinisë më fund të prillit ose në fillim të majit ishin më optimiste sesa që duhet, duke e marrë parasysh emergjencën shëndetësore të vendit tonë”, – tha Spadafora.
“Unë mund ta them me siguri që edhe nëse rinisin eventet sportive, ato do të zhvillohen pa tifozë, – ka vijuar ai. – Nuk është e mundur të mendojmë ndryshe, por unë kam shumë dyshime edhe për datën 3 maj. Fatkeqësisht kjo emergjencë po na e ndryshon jetën nga dita në ditë. Ne duhet t’i përshtatim vendimet me këtë epidemi”, – ka përfunduar Ministri Spadafora.