AlbanianSport.com 14.06.2016 20:05
ASNN – Tirana është kampione në minifutboll. Bardheblutë kanë mundur në finale KS Ali Demin me rezultatin 4-3. Ndeshja është zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” dhe është gjykuar nga një dyshe gjyqtarësh nga Italia. Tashmë Tirana do të luajë në Kupën UEFA në Futbollin e Sallës.
Skuadra e Tiranës në minifutboll ka fituar titullin “kampion” për sezonin 2015-2016. Bardheblutë kanë mundur në finale KS Ali Demin me rezultatin 4-3. Për të patur një ndeshje dhe rezultat të drejtë, drejtuesit e të dy ekipeve kanë rëndë dakort që kjo finale të gjykohet nga një dyshe gjyqtarësh nga Italia.
Vetë rezultati i fiksuar në fund të takimit flet për një ndeshje me rivalitet. Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ndeshja nis me një gol të Tiranës të realizaur nga Çela. KS “Ali Demi” barazon me anë të Koçirajt. Por kur kishin mbetur vetëm 4 minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Çela, e ka kthyer dhe një herë Tiranën në epërsi.
KS “Ali Demi” nuk dorëzohet. Barazon me anë të Kacës dhe më pas e mbyll me fitore pjesën e parë me golin e Rukovcit. Në pjesën e dytë, Tirana arrin të barazojë me anë të Selmanit dhe, më pas, kur kishin mbetur 50 sekonda nga fundi i lojës, Sina shënon golin e katërt.
Duke i dhënë kështu fitoren dhe titullin kampion në minifutboll bardhebluve. Kupën e ka dorëzuar anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Vasil Bici, së bashku me presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.