AlbanianSport.com 24/02/2024 19:15
ASNN – Memushaj “Kurs shumë i rëndësishëm për të ardhmen, falenderojmë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) që organizohet edhe në vendin tonë”. Kursi për licencën e trajnerit UEFA PRO që është niveli më i lartë për një trajner futbolli ka nisur prej disa muajsh dhe në të marrin pjesë edhe emra të njohur të botës së futbollit. I gjithë kursi zhvillohet në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet dhe udhëhiqet nga specialistët e Sektorit të Edukimit në FSHF.
Pjesëmarrës në këtë edicion të kursit janë edhe ish-futbollistë që kanë dhënë kontributin e tyre me Kombëtaren kuqezi si Ledian Memushaj, apo ish-lojtarë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar si Emiliano Çela. Pas vari këpucët në gozhdë, duke e mbyllur me kontributin e dhënë në fushën e blertë, tani Memushaj është bërë pjesë e botës së trajningut ku ka patur edhe dy përvoja, tek Peskara e Nën-19-vjeçarëve dhe si zëvendëstrajner tek Dinamo City.
Në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së, Memushaj tregon rëndësinë e kursit UEFA PRO, teksa shton se në të ardhmen synon të arrijë sa më lartë. “Kursi është shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm për ne, – ka thënë ai. -Është kënaqësi të jem me këtë grup e këta persona dhe shpresoj që të ecim sa më mirë. Për çdo trajner, ky kurs është shumë i rëndësishëm. Edhe për të ardhmen tonë. Kam qenë vjet me shpresat e Peskarës, por edhe si zëvendëstrajner i Dinamos me Luixhi di Biaxhio. Secili prej nesh që punon si trajner, kërkon të ecë sa më lart.”