AlbanianSport.com 04/08/2020 20:55
ASNN – Përvijohen kundërshtaret e shqiptareve në Ligën e Evropës. Kukësi, Teuta dhe Laçi, por edhe Shkëndija e Tetovës, Shkupi dhe Prishtina e Gjilani presin shortin. Me mbylljen e sezonit thuajse anembanë kontinentit të vjetër, një sezon i rallë që zgjati thuajse një vit kalendarik për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi “Covid-19”, ka bërë që të përcaktohen edhe verdiket e veprimtarive kombëtare, duke përvijuar kështu edhe betejat e mundshme.
Kështu, 3 ekipet shqiptare që kanë siguruar të drejtën për të marrë pjesë në turet eliminatore të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, kanë tanimë një tablo të përafërt të atyre me të cilët mund të përballen në turet eliminatore tës saj. Kështu, disa nga kundërshtarët e mundshëm të Kukësit, por edhe të Shkëndijës së Tetovës në turin e parë eliminator të Ligës së Evropës janë Sllavia e Sofies, Botoshani, Levadia e Talinit, MSK Zhilina, Zheljeznjiçari i Sarajevës, Akademia Pushkas, Shkupi, Banja Luka, Inter Turku, Vikingur i Rejkjavik, etj.
Ndërkohë, disa kundërshtarë të mundshëm të Laçit, Teutës dhe Shkupit: Vaduzi, Leh Poznani, Shkendija e Tetotës, APOEL-i i Nikozisë, Steaua e Bukureshtit, Maribori, Dinamo e Minskut, Aberdini, Kairati i Almatisë, Valeta, Ventspils, CSKA e Sofies, Sutjeska e Niksiçit, Honvedi i Budapestit, Makabi i Haifas dhe Beitari i Jeruzalemit. Kurse kundërshtarët e mundshëm të Prishtinës dhe Gjilanit në fazën paraeliminatore të Ligës së Evropës janë Linkoln Red Imps, Santa Koloma, Torshavni, Tre Pene, NSI Runaviku, UE Engordani dhe St. Xhozefs.