AlbanianSport.com 11.02.2017 21:20
ASNN – Janë luajtur të shtunën 3 ndeshje të tjera të javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Në takimin e sjellë në mbrëmje për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Kukësi i ka kthyer “reston” Tiranës, duke e mundur me të njëjtat shifra, 2-1, që bardheblutë kishin fituar në duelin e parë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.
Ndeshja e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka patur dy pjesë krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Në të parën, Tirana ka gjetur golin në minutën e 37-të, kur Taku ka vepruar zgjuarsisht në zonë, duke goditur befasisht dhe duke përshëndetur rrjetën. Me këtë epërsi minimale mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të flasin për Kukësin.
Skuadra verilindor fillimisht gjen golin e barazimit me anë të Pejiçit më minutën e 67-të dhe, 7 minuta para fundit, përmbys gjithçka me golin e Eminit. Kukësi fiton me rezultatin 2-1 dhe mbetet i vetëm në krye të renditjes, me 45 pikë, 4 më tepër sesa Skënderbeu i vendit të dytë, që të shtunën mundi 1-0 në shtëpi Laçin, falë një goli të të përhershmit Hamdi Salihi.
Ndërsa Partizani, që barazoi pa gola të premten me Teutën, mbetet në vendin e 3-të, me 39 pikë. Në takimin tjetër të javës së 21-të, të luajtur të shtunën, Vllaznia ka fituar 3-2 në shtëpi ndaj Flamurtarit, ndërsa kjo javë mbyllet të dielën pasdreke me takimin midis Luftëtarit dhe Korabit.