AlbanianSport.com 24.10.2016 10:40
ASNN – Mançesteri po shndërrohet ditët e fundit në një vend “të rrezikshëm” , sidomos sa u përket stadiumeve të futbollit. Në gjysmën e kuqe ka pllakosur zia, pasi Mançester Junajtid kapitulloi turpshëm, 0-4, përballë Çellsit. Por as në gjysmën e kaltër, gjërat nuk kanë shkuar mirë. Barazimi 1-1 i Mançester Sitit me Sauthemptonin, bëri që trajneri Pep Guardiola të ndërmarrë një veprim dramatik.
Qyteti i Mançesterit, që shtrihet në veri të Anglisë, është një nga qytet më të të ishujve britanikë. Por, ditët e fundit, ai po shndërrohet në një vend të rrezikshëm, sidomos sa i përket stadiumeve të tij të futbollit. Në gjysmën e kuqe të qytetit ka pllakosur zia, pasi Mançester Junajtid kapitulloi turpshëm, 0-4, përballë Çellsit, në rikthimin e Zhoze Murinjos tek skuadra që ai e riktheu midis më të mirëve të futbollit anglez dhe atij evropian.
Kjo bëri që Murinjo të dalë, në mënyrë të papritur, me një video-mesazh në faqen e klubit, ku kërkonte ndjesë. Dukej qartë se kjo dalje ishte e detyruar nga drejtuesit e klubit, pasi Murinjo e shihte të udhës të siguronte tifozët e Mançester Junajtid se ishte 100 % i përkushtuar tek “Djajtë e kuq”. Por as në gjysmën e kaltër, gjërat nuk kanë shkuar mirë.
Madje barazimi 1-1 i Mançester Sitit me Sauthemptonin, që ishte ndeshja e 5-të pa fitore në të gjitha veprimtaritë e këtij fillimsezoni, bëri që trajneri Pep Guardiola të ndërmarrë një veprim dramatik. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, trajneri katalan i ka kyçur lojtarët e tij brenda dhomave të zhveshjeve për afro një orë si ndëshkim për paraqitjen e dobët në atë ndeshje.
Siç duket, temperaturat në qytetin e Mançesterit po ulen, por brenda stadiumeve, ato po rriten ndjeshëm.