AlbanianSport.com 22/02/2024 16:45
ASNN – Seminari me trajnerët e Mançester Siti, Sekretari Shulku:“Është një risi, FSHF e hapur për bashkëpunime që nxisin zhvillimin e futbollit shqiptar”. Është zhvilluar të enjten në “Shtëpinë e Futbollit” seminari për trajnerët e akademive të futbollit të zonës së Tiranës dhe Durrësit, ku pjesëmarrës si lektorë ishin dy trajnerët e ardhur nga akademia e Mançester Sitit, Gejvin Rouds dhe Endi Smith. Organizatorët e këtij seminari ishte “Dyrrah City Football Academy”, në bashkëpunim me Mançester Sitin, si edhe me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), që mirëpriti këtë event në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”.
Të pranishëm gjatë këtij aktiviteti ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, së bashku me Zv.Ministrin e Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha. Në prononcimin e tij për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku tha se është një risi ardhja e Mançester Sitit në Shqipëri, që tregon se futbolli në vendin tonë është zhvilluar shumë. Gjithashtu ai shtoi se Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë dhe do të jetë e hapur për bashkëpunime të tilla, që nxisin zhvillimin e futbollit shqiptar. “Është një risi ardhja e Mançester Sitit në Shqipëri që do t’i shërbejë shumë zhvillimit të futbollit në vendin tonë”, – ka thënë ai fillimisht.
“Federata e Futbollit është gjithmonë e hapur dhe do të mbështesë të gjitha bashkëpunimet edhe me akademitë e tjera, sidomos të këtyre niveleve, – ka vijuar Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku. – Dyert tona janë të hapura për bashkëpunim dhe për çdo lloj ndihme që do të kërkohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo tregon që futbolli shqiptar është në rrugën e duhur, është zhvilluar shumë dhe jo më kot Manchester City ka ardhur në Shqipëri, ka parë që futbolli po zhvillohet, po ecën përpara dhe jo rastësisht kemi shkuar edhe në Europian, me ndeshje dinjitoze dhe të përfaqësohemi shumë mirë në Europian, që është ëndrra e të gjithë shqiptarëve.”
Ndërsa, Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, vlerësoi bashkëpunimin me FSHF-në dhe tha se është një mundësi e mirë për t’i treguar akademive si duhet të funksionojnë për të arritur sukses. “Sot është dita e parë e fillimit dhe prezantimit për të gjithë trajnerët e zonës së Tiranës dhe Durrësit, – theksoi ai. – Për të sjellë akademinë e Mançester Sitit nuk ka qenë e lehtë, por këtë nuk do ta bënim kurrë edhe pa mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit.”
“Për të sjellë kurrikulën e Mançester Sitit në Shqipëri, për të treguar në bashkëpunim me Federatën për akademitë e tjera, mënyrën se si duhet të ndërtohet, të funksionojë, për të arritur atje që është ëndrra e të gjithëve se tashmë Shqipëria është kualifikuar për në Evropianin e Gjermanisë, siç është ëndrra duhet të vazhdojë”, – përfundoi Zv.Ministri Hoxha.