AlbanianSport.com 16.08.2016 18:55
ASNN – Ka fituar 28 medalje olimpike, nga të cilat 23 janë të arta dhe vetë ai e pohon se “është padyshim një çmenduri kur e mendon.” Ky është Majkëll Felpsi, amerikani që ka shkruar padyshim historinë e notit olimpik. Në një intervistë të dhënë në përfundim të garave në Rio, amerikani ka bërë një bilanc të karrierës së tij. Kështu, në fund të çdo karriere bëhet një bilanc dhe ai i Majkëll Felpsit është mbresëlënës.
“E kam filluar këtë sport si një fëmijë që dëshiron të bëjë diçka që nuk e ka bërë askush më parë, – ka rrëfyer amerikani. – Prandaj, për mua, të qenit në gjendje ta lë sportin ashtu siç do të kisha dëshiruar, është plotësimi i një ëndrre. Për më tepër, e kam shijuar gjithçka kam bërë. Kam fituar 28 medalje olimpike, nga të cilat 23 janë të arta dhe kjo është padyshim një çmenduri kur e mendon.”
Felps e ka të qartë se tërheqja nga sporti nuk do të jetë e lehtë, teksa thotë: “Besoj se kjo do të jetë më e vështira, sepse do të më mungojë aspekti i konkurrencës dhe garës. Kjo do të jetë padyshim sfiduese, por, me projektet që kam dhe me gjërat që do të merrem, do të kem pak kohë për të menduar për këtë. Por do t’ju gënjeja po t’ju thoja se nuk do të më mungojë garimi.”
Në finalen e 100 metrave flutur, amerikani u mposht nga singaporiani Skulling, i cili e kishte patur idhull Felpsin. “Është e pabesueshme! – ka pohuar legjenda e notit amerikan dhe atij botëror. – Të mendosh që unë isha një nga burimet e frymëzimit të tij, për mua do të thotë shumë, pasi dëshmon se kam qenë në gjendje ta ndryshoj sadopak këtë sport dhe kjo është ajo që kam dashur gjithmonë.”)
32-vjeçari ka edhe një mesazh sa i përket dopingut në sport. “Nuk më takon mua të gjykoj për atë që duhet bërë në këtë drejtim, – ka këmbëngulur Majkëll Felpsi. – Unë mendoj se duhet ta pastrojmë sportin. Për mua, është thjesht e trishtuar të shikosh se njerëzit ndjejnë nevojën e përdorimit të substancave të ndalura. Thjesht më shqetëson dhe më trishton.”