AlbanianSport.com 14.12.2016 19:20
ASNN – Flamurtari dhe Partizani kanë shënuar nga një gol për secilën pjesë loje dhe kanë ndarë nga një pikë secila, në takimin e luajtur sonte dhe të vlefshëm për javën e 16-të të këtij sezoni të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje është sjellë drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Niveli i më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria Superiore, ka luajtur të mërkurën të gjitha takimet e javës së tij të 16-të dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit emocionet e ndeshjes së zhvilluar në mbrëmje në Vlorë, midis Flamurtarit dhe Partizanit.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje është mbyllur me epërsinë minimale të miqve, të cilët kanë gjetur golin në minutën e 13-të, me anë të futbollistit Idriz Batha, i cili ka goditur zgjuarsisht në kufinjtë e zonës, duke mposhtur portierin vlonjat dhe duke përshëndetur rrjetën.
Por pjesa e dytë ka folur e gjitha për vendasit, që janë më ngulmues në kërkim të golit të barazimit, duke e gjetur atë në minutën e 64-t, me anë të Alveshit. Madje vlonjatët kanë kërcënuar të përmbysin gjithçka, por Partizani reziston dhe të dyja skuadrat ndajnë kështu nga një pikë, pas barazimit 1-1 midis tyre.
Po në mbrëmje, Skënderbeu ka mundur Tiranën 2-0, duke iu bashkuar në krye të renditjes me 32 pikë Kukësit, që më herët ishte ndalur në një barazim 1-1 me Korabin e vendit të fundit. Ndërkohë, në dy takimet e tjera, Laçi dhe Luftëtari korrën nga një fitore minimale, por mjaft të vyer, në shtëpi, përkatësisht ndaj Vllaznisë dhe Teutës.