AlbanianSport.com 30/01/2020 20:15
ASNN – Gjirokastritët kanë shlyer detyrimet, hapet drita jeshile për federimet e përforcimeve. FIFA e ka hequr më fund pezullim për 3 periudha të merkatos për klubin e Luftëtarit. Një lajm i tillë, që konfirmohet zyrtarisht për RTSH nga burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, vjen vetëm dy ditë para mbylljes zyrtare të merkatos. Burimet në fjalë kanë konfirmuar se shkresa nga organizmi që qeveris futbollin botëror ka mbërritur në FSHF vetëm të enjten pasdite dhe tanimë klubi gjirokastrit ka ende kohë për të federuar përforcimet e merkatos së dimrit.
Vjen më në fund një dritë jeshile për Luftëtarin, pasi FIFA e ka hequr më fund pezullim për 3 periudha të merkatos për klubin gjirokastrit. Në fakt, vetë presidenti i klubit gjirokastrit, Bekim Halilaj, pati konfirmuar ditët e fundit arritjen e marrëveshjes me përfaqësuesin ligjor të lojtarit brazilian, Marko Aurelio, në mënyrë që të zhbllokohej edhe sistemi për transferimet në klubin bluzi. Halilaj pati sqaruar se do të bëhet maksimumi që të premten të federohen disa lojtarë të rëndësishëm, që do të forcojnë skuadrën në pjesën e dytë të sezonit.
“Mund të konfirmoj tashmë se kemi arritur marrëveshjen për pagesën e lojtarit Aurelio”, pati deklaruar presidenti i gjirokastriteve, duke shtuar: “Kemi mbyllur të gjitha shkresat e domosdoshme, të cilat janë dërguar në FIFA. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrën juridike që përfaqëson futbollistin në Qipro. Në bazë të rregullores dhe pas bisedave që kemi pasur në orët e fundit, na është thënë se sistemi do të zhbllokohet për 24 orë.”
Një gjë e tillë është mësuar zyrtarisht të enjten pasdite dhe, në këto kushte, të premten, si ditë e fundit e merkatos, gjirikastritët do të federojnë lojtarët e afruar dhe disa të tjerë me të cilët po negocionin. Tri javë më parë, FIFA sinjalizoi për bllokimin e merkatos së Luftëtarit për shkak të mospagesës së ishmesfushorit Aurelio, i cili luajti me bluzinjtë në pjesën e dytë të sezonit 2017-2018. Mësohet se klubi i detyrohej lojtarit një shifër prej 74 mijë eurosh, por braziliani ka thënë se është i gatshëm për të falur një pjesë të parave.
Me sa duket, palët kanë gjetur një marrëveshje dhe tanimë edhe FIFA e zhbllokuar merkaton bluzi më 30 janar, pikërisht një ditë para fundit të transferimeve sa u përket klubeve të Superiores. Ndërkaq, për të njëjtat arsye, mbetet e bllokuar merkatoja e Flamurtarit, klubit tjetër shqiptar që, ashtu si Luftëtari, nuk do të lejohet të federojë lojtarë në këtë merkato dimri, në atë të verës së këtij viti dhe në atë të janarit të vitit të ardhshëm.