AlbanianSport.com 20.05.2016 13:45
ASNN – Sezonin e ardhshëm, Luftëtari do të jetë në Kategorinë Superiore. Por që të luajë denjësisht me skuadrat e tjera të kësaj kategorie, klubi gjirokastrit duhet të fillojë ristrukturimin, që nga fusha, drejtuesit apo edhe përforcime me lojtarë të huaj.
Për Televizionin Shqiptar, menaxheri i futbollistëve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Vangjel Çavo, jep disa detaje për formimin e një Luftëtari të denjë për në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Luftëtari u shpall “kampion” i Kategorisë së Parë, duke mundur në finale Korabin. Dhe, sezonin e ardhshëm, skuadra gjirokastrite do të luajë në Kategorinë Superiore. Por që të luajë në këtë kategori, ai duhet të jetë i denjë për t’u përballur me skuadrat që luajnë aty.
Menaxheri i futbollistëve, Vangjel Çavo, mendon se, që Luftëtari të jetë i denjë për Kategorinë Superiore, duhet filluar me riorganizimin e klubit. Çavo e ka ndjekur Luftëtarin në ndeshjet e fundit dhe mendon që ka nevojë për pëforcime me lojtarë të huaj.
Po ashtu edhe disa nga lojtarët e skuadrës gjirokastrite mund të luajnë në ekipe të huaja. Puna duhet të fillojë që në muajt e verës, që fillimi i sezonit ta gjejë Luftëtarin të përgatitur për në Superiore.