AlbanianSport.com 15/10/2018 12:30
ASNN – Pas dy boksierëve, Elsidita Selaj dhe Muhamet Qamili, ka garuar të dielën në mbrëmje në Lojërat Olimpike Rinore, që po mbahen në Argjentinë edhe atletja 17-vjeçare Relaksa Dauti, e cila ka përmirësuar renditjen e saj përfundimtare në mbyllje të garës së 800 metrave, duke zënë vendin e 16-të midis 26 sportisteve pjesëmarrëse.
Kështu, pas notares Kejti Rok dhe peshëngritësit Antonino Luli, edhe atletja shqiptare, Relaksa Dauti, e ka mbyllur konkurrimin e saj në këto Lojëra Olimpike Rinore, pasi ka garuar në fazën e dytë të garës së 800 metrave.
Ndërkohë që në fazën e parë, ajo ishte renditur e 7-ta nga 8 konkurrente në baterinë e saj, në fazën e dytë, ajo ka bërë shumë më mirë, duke u renditur e 4-ta, midis 9 garueseve, me kohën 2 minuta, 18 sekonda e e 9 të qindtat.
Kjo ka bërë që 17-vjeçarja të përmirësojë renditjen e saj përfundimtare në mbyllje të kësaj gare, duke zënë vendin e 16-të midis 26 sportisteve pjesëmarrëse, në një garë ku duhet theksuar se niveli i konkurrimit ka qenë shumë i lartë.