AlbanianSport.com 18/06/2020 20:55
ASNN – Ministria e Shëndetësisë kthen përgjigje negative, Llazani: Shpresat për rifillim, të vakëta. “Sportet në mjedise të mbyllura, për shkak të specifikave që kanë, konsiderohen me rrezik shumë të lartë kontaminimi për lojtarët, e për këtë arsye nuk mund të lejohet ende praktikimi i tyre.” Ky është qëndrimi më i fundit i Ministria e Shëndetësisë lidhur me mundësinë e hapjes së “dritës jeshile” për lojërat me dorë.
Dhe, sipas Sekretarit të Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, kjo bën që shpresat për një rinisje të sezonit të lënë pezull praktikisht të davariten dalëngadalë. “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Ky titulli i librit të njohur të Remarkut, është në fakt fjalia që përshkruan më së mirë gjendjen aktuale të sporteve në vend, të mbetura pezull për shkak të situatës së krijuar nga virusi korona.
Madje edhe një komunikim i ditëve të fundit midis Zv/Ministrit të Sportit, Konstandin Shkurti, dhe Zv/Ministres së Shëndetsisë dhe Kryetares së Komitetit të Përkohshëm të Ekspertëve, konfirmon se ende nuk është hapur drita jeshile për lojërat me dorë. “Sportet e mbyllura për shkak të specifikave që kanë konsiderohen me risk shumë të lartë kontaminimi për lojtarët, e për këtë arsye në asnjë vend nuk është lejuar fillimi i tyre, – thuhet në përgjigjen e Rakacollit.
“Duke u nisur edhe nga rëndimi i situatës epidemiologjike ne Shqipëri, javën e fundit, nuk mund të lejohet fillimi i ndeshjeve deri në përmirësimin e situatës epidemiologjike”, -vijon më tej shkresa. Kjo ka krijuar një situatë të re, sikundër pohon edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. “Koha vjen e ngushtohet çdo ditë e më tepër, – ka thënë ai. – Fakti që ne ishim në kushtet e pritshmërisë deri në këto momente, ka qenë arsyeja e përfundimit të sezonit në parket.”
“Në kushtet e sapokrijuara, njoftimi që na është dhënë, me thënë të drejtën, duhet trajtuar me shumë vëmendje nga forumet tona dhe së shpejti do të dilet me një vendim konkret sepse nuk është thjesht ndërprerja e kampionatit, por edhe sesi do të trajtohet edicioni, si do të konkludohet në mbyllje dhe si do të veprohet me edicionin e ri, – ka vijuar nr. 2 i organizmit që qeveris koshin në vend. – Pra, janë një sërë tematikash, një sërë argumentesh, që forumet tona, kryesia e Federatës, presidenti i saj duhet t’i trajtojë.”
E sipas Llazanit, kjo ka bërë që shpresat për një rinisje të sezonit të lënë pezull praktikisht të davariten dalëngadalë. “Ne kemi qenë me shumë shpresë që nga dita e parë, sepse donim me çdo kusht që të mos dorëzoheshim dhe, në të vërtetë, nuk jemi dorëzuar, – ka vijuar ai. – Ne kemi qenë në kushte pritshmërie, ekipet po ashtu, por kostoja që ekipet kanë përballuar për të mbajtur ekipet në tonus, edhe në ato kushte që kanë qenë, edhe pse kanë qenë kushte specifike.”
“Madje kanë qenë rraskapitëse për to dhe niveli i durimit ka arritur në nivele të tilla të vështira për t’u përshkruar me fjalë, sepse ata që i kanë mbajtur mbi kurriz, ata më mirë se kushdo mund ta shprehin këtë gjë, – ka theksuar Llazani. – Por, sidoqoftë, ne e kuptojmë një gjë të tillë dhe kemi arritur në një pikë që po bëhet e vështirë për çdo gjë.” Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse do të ketë një përmirësim të situatës, që do të çojë në rihapjen e sportit.