AlbanianSport.com 12/03/2020 23:30
ASNN – Luhen sfidat e para të 6 prej 8 çifteve të turit të 16-shes, shumica me stadiumet bosh. Janë luajtur të enjten në mbrëmje takimet e para të 6 prej çifteve të turit të 16-shes së veprimtarisë së dytë e klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës. Takimet e dy çifteve të tjera janë shtyrë ndërsa Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit takimin më të spikatur të mbrëmjes, Gllasgou Rejnxhërs-Bajer Leverkusen.
Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka sfiduar të enjten në mbrëmje epideminë e koronavirusit, duke vijuar me takimet e para të turit të 16-shes. Dhe pasi ka luajtur duke nisur nga ora 18:55 3 takimet e para, ku Mançester Junajtid, Bazeli dhe Istambul Bashakshehiri korrën fitore, 3 takimet e tjera janë luajtur duke nisur nga ora 21:00.
Siç dihet, UEFA pati vendosur të mërkurën që takimi i parë i përballjes Sevilja-Roma është shtyrë, ashtu sikundër është shtyrë edhe takimi midis Interit dhe Hetafesë. Ndeshjet e kthimit luhen pas një jave, por organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, do të vendosë të martën për fatin e veprimtarive të saj, duke patur parasysh epideminë e koronavirusit.
Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit takimin më të spikatur të mbrëmjes, Gllasgou Rejnxhërs-Bajer Leverkusen, që u fitua nga gjermanët me rezultatin 3-1. Gjermanët shënuan një gol në pjesën e parë e dy në të dytën, ndërsa skocezët gjetën golin e ngushëllimit në çerekorën e fundit të takimit. Në dy takimet e tjera të mbrëmjes, Olimpiakosi dhe Vulverhempton Uondërërs janë ndarë në një barazim 1-1.
Ndërsa fitore në fushë të huaj ka korrur edhe Shahtjori i Donjeckut, që ka mundur 2-1 Volfsburgun, në një takim ku të dyja skuadrat kanë shkuar dëm edhe nga një 11-metërsh secila.