AlbanianSport.com 21/10/2018 19:15
ASNN – Hajduku i Splitit u mposht sot në Kroaci nga Lokomotiva e Zagrebit 2-0, në një ndeshje ku shkëlqeu veçanërisht talenti shqiptar Myrto Uzuni. Djaloshi nga Berati që ka luajtur me Apoloninë dhe Laçin në Shqipëri, shënoi golin e dytë për Lokomotivën, në minutën e 69-të.
Ishte një prej atyre sfidave ku sulmuesi nga Shqipëria deshi të linte gjurmë dhe shkëlqeu me të vërtetë, duke bindur edhe më skeptikun se Lokomotiva e Zagrebit ka bërë një supergoditje në verë dhe Uzuni mund të thuhet pa frikë se ka shpalosur cilësi mjaft të mira.
Cilësi që tani e tutje e afrojnë përfundimisht si një titullar i padiskutuar në skuadrën kombëtare. Uzuni shënoi sot ndaj Hajdukut të Splitit, por për të ishte goli i dytë në kampionatin kroat, pasi më parë i ka shënuar NK Goricës. Një ecuri e shkëlqyer dhe me produktivitet, ku Myrto Uzuni po spikat përditë e më shumë.