AlbanianSport.com 09/11/2020 10:35
ASNN – “Ndërton” dy gola e parë dhe shënon të 3-tin në triumfin e së dielës në kampionat. Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Myrto Uzuni, ka gjetur të dielën edhe golin e parë në kampionatin hungarez. Sulmuesi nga Berati e ka nisur si titullar takimin e luajtur në shtëpi kundër Mezokovesd-Zhorit, të vlefshëm për javën e 10-të të nivelit më të lartë të kampionatit hungarez të futbollit. Këtë takim, kampionët në fuqi të Hungarisë e kanë fituar me rezultatin 3-0.
Me të 3 golat e shënuar në pjesën e parë. Lojtari i kombëtares shqiptare ka bërë një paraqitje të shkëlqyer, duke dhënë pasimet e dy golave të parë dhe duke realizuar vetë të 3-tin. Ai pasoi për Tokmakun, i cili hapi llogarinë e golave në minutën e 15-të.
Pesë minuta më pas, ai shpalosi shpirtin e tij altruist, teksa, edhe pse në pozicion të volitshëm, zgjodhi t’i pasojë topin sërish Bolisë, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte me portën e boshatisur.
Dhe në fundin e pjesës së parë, ai mori edhe shpërblimin e një paraqitjeje të jashtëzakonshme, duke realizuar vetë golin e 3-të. Myrto Uzuni është kthyer kështu edhe formën e tij më të mirë pasi kapërceu edhe infektimin me virusin korona, ndërsa është thirrur edhe nga trajneri i Kombëtares, Edi Reja, për 3 ndeshjet e këtij muaji, miqësoren me Kosovën dhe dy takimet e fundit zyrtare në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës.